Basha ende dëshiron të luajë për Shqipërinë

Data e publiklimit: Friday, December 7th, 2012

Mesfushori kosovar, Migjen Basha, ka thënë se ende është dëshirë e tij që të luajë për Kombëtaren e Shqipërisë. Basha po kalon formë të mirë te skuadra e Serie A Torino, ndërsa fundjavën e kaluar është kontaktuar për herë të parë nga zyrtarë të Federatës së Futbollit të Zvicrës. “Dëshirën që të luajë për Kombëtaren e Shqipërisë e kam nga fëmijëria. Pengesë për të realizuar këtë dëshirë është mungesa e një dokumenti që duhet ta lëshojë Ministria e Punëve të Brendshme e Shqipërisë. Derisa të mos kem gati atë dokument, do të jem në një farë mënyre ‘peng’ për të mos ardhur në skuadrën përfaqësuese”, ka thënë Basha të enjten për gazetën tiranase “SportEkspres”. Ai ka bërë të ditur se nga ndihmësi i përzgjedhësit të Zvicrës është njoftuar se Federata helvetike do të vazhdojë ta përcjellë lidhur me mundësinë që ta ftojë në përfaqësuesen A. Megjithatë, Basha ka thënë se nuk është e sigurt se Zvicra do ta ftojë. “Ndihmësit të përzgjedhësit të Zvicrës i kam treguar çështjen time në lidhje me Kombëtaren shqiptare dhe ku është problemi. Por, njëherësh edhe u kam thënë që, nëse nuk rregullohet puna me Shqipërinë, do të jem i gatshëm të luaj për Zvicrën. Jam 25 vjeç dhe nuk besoj se kam shumë kohë që të vazhdoj të pres. Karriera ime do të përfundojë pas disa vitesh”, ka shtuar Basha./SportIndeks.COm

Ky publikim eshte lexuar 435 here

Fjalët kyçe