Basketboll, Sergio Scariolo lë Spanjën

Data e publiklimit: Thursday, November 29th, 2012

Sergio Scariolo jep dorëheqjen nga drejtimi i Spanjës. 51-vjeçari italian përfundimisht nuk do të jetë më trajneri i përfaqësueses iberike, por do të përqëndrohet krejtësisht në drejtimin e skuadrës Emporio Armani, të Milanos.

Trajneri lombard, i cili u bë i pari teknik I huaj në historinë e përfaqësueses spanjolle e ngjiti kombëtaren iberike në nivele të paimagjinueshme, duke u bërë njëkohësisht edhe trajneri më I suksesshëm në historinë e basketbollit spanjoll. Sergio Scariolo ishte në drejtimin e Furie Rojas, që nga fillimi i vitit 2009, sidoqoftë 51-vjeçari breshian i parapriu mbylljes së kontratës, që në fakt skadonte në fund të muajit dhjetor.

Me Scariolo-n, Spanja fitoi titullin e parë evropian pas plot 5 finaleve të humbura, gjithsesi pas titullit të fituar në Poloni, trajneri italian përsëriti po të njëjtin sukses edhe në Lituani, ku mundi ekipin e Francës. Sergio Scariolo numëron gjithashtu 10 vjet në Ligën Spanjolle ACB, në drejtimin e skuadrave të tilla si Tau Vitoria, Real Madrid apo dhe Unicaja Malaga.

Arritja më e madhe e tij në planin personal ishte fitorja e medaljes së argjendtë në Lojërat Olimpike të Londrës, ku iberikët u mundën në finale nga Shtetet e Bashkuara, duke barazuar njëherazi edhe rezultatin që Spanja kishte arritur 4 vjet më parë, në Pekin, ku asokohe nën drejtimin e trajnerit Aito, humbën përsëri nga Dream Team-i Amerikan.

Drejtuesit më të lartë të Federatës Spanjolle janë gjetur të papërgatitur nga një lëvizje e tillë dhe po bëjnë cmos për ti dhënë detyra të tjera teknike brenda përfaqësueses, sidoqoftë Scariolo që do të zbarkojë në Vitoria pikërisht me skuadrën e Armani-t, duket se e ka ndarë përfundimisht mendjen dhe kërkon më tepër kohë të lirë gjatë muajve të verës, për të qëndruar pranë familjes.

Gjatë kësaj periudhe 4-vjecare trajneri lombard ka punuar vazhdimisht me kohë të pjesshme, duke udhëhequr ekipin rus Khimki të Moskës, ndërsa nga muaji qershor I vitit të kaluar Sergio Scariolo drejton Olimpia-n e Milanos. Vendin e tij duket se do ta zërë 46-vjecari spanjoll, Juan Manuel Orenga, ish-lojtar I Real-it dhe Malaga-s, që prej vitesh drejtonte përfaqësuesen iberike të moshave, e vlen të theksohet se 20-vjecarët e Spanjës, 12 muaj më parë falë punës mjaft të mirë të trajnerit Orenga fituan titullin kontinental./SportIndeks.com

Ky publikim eshte lexuar 398 here

Fjalët kyçe