Behrami, mentalitet fituesi

Data e publiklimit: Friday, December 14th, 2012

Valon Behrami synon gjithmonë fitore. Mesfushori kosovar ishte pjesë e kalendarit 2013 të Napolit, së bashku me bashkëlojtarin Lorenzo Insigne, ndërkohë e mbajtën një konferencë për shtyp të enjten. Futbollisti kosovar ka impresionuar me paraqitjet e tij në ekipin nga San Paolo, duke u bërë lojtar i rëndësishëm i klubit napolitan.

“Unë dëshiroj të fitoj gjithmonë. Po luajmë mirë, këtë e bëmë edhe ndaj Interit, edhe pse humbëm. Do të mundohemi të fitojmë ndaj Bolognas, po përgatitemi mirë, edhe pse do ta kemi vështirë. Emilianët nuk janë kafshatë e lehtë, do ta japim maksimumin”, ka thënë përfaqësuesi zviceran.

Ai e konsideron Napolin një qytet të bukur dhe është përshtatur mjaft mirë aty, edhe pse nuk ka shumë kohë të dalë në qytet, për shkak të angazhimeve që ka. “Është një qytet mjaft i bukur, por s’kam shumë kohë të dal. Paramendojeni, kam jetuar tre vjet në Romë dhe nuk kam shkuar ta vizitoj Colosseon”, vijoi Behrami, i cili stadiumin San Paolo e konsideron si një armë më shumë.

Së fundmi flitet se Napoli mund të penalizohet me dy pikë, për shkak të përfshirjes në skandalin e futbollit italian. “Ndiej mllef, pasi kemi grumbulluar shumë pikë”, përfundoi ish futbollisti i Veronës, Lazios, West Hamit dhe Fiorentinës, i cili e konsideroi një eksperiencë pozitive pjesëmarrjen në kalendarin e Napolit./SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 485 here

Fjalët kyçe