Benitez ndërron mendje: Lampard e Kol mund të rrinë!

Data e publiklimit: Monday, December 3rd, 2012

Trajneri i Çelsit, Rafael Benitez, ka hedhur poshtë zërat se ekziston siguria e largimit të Eshli Kol dhe Frenk Lampard nga radhët e kësaj skuadre në fund të sezonit. Pak ditë më parë kishte qenë vetë trajneri që kishte lënë të kuptohej se dy futbollistët e Anglisë po bëheshin gati t’i jepnin lamtumirën londinezëve në verë pas përfundimit të kontratave të tyre ekzistuese.

“Kur më pyetën rreth kësaj çështje herën e kaluar, ndoshta ishte një keqkuptim ose ndoshta anglishtja ime nuk ishte aq e mirë sa duhej. Por situata e vetme për të cilën kam dijeni është se kontratat e tyre përfundojnë në këtë verë”, u shfajësua ai para gazetarëve.

“Nuk di më shumë se kaq. Unë e di që Frenk është i lumtur këtu dhe ai është një lojtar që bën pjesë në liderët e skuadrës, një nga futbollistët më të rëndësishëm, por nuk di asgjë rreth të ardhmes së tij. Ndaj nuk mund të them po apo jo, do të qëndrojë apo do të largohet, në janar apo në fund të sezonit. Në këtë moment, unë nuk di të them ndonjë gjë”.

Trajneri spanjoll njëkohësisht hodhi poshtë zërat se mbledhja e tij me bordin drejtues të skuadrës të premten kishte qenë për merkaton, më saktësisht për largime të mundshme nga skuadra gjatë janarit.

“Nuk kemi folur për largime lojtarësh. Drejtuesit po më pyetnin për lojtarë që mund të afroheshin, jo për lojtarë që largohen”, shpjegoi trajneri spanjoll.

Por mediat angleze kanë bërë të ditur se pronari i Çelsit, Roman Abramoviç, është mërzitur që tani me Benitez dhe duke parë se ai urrehet nga tifozët e skuadrës, po mendon që ta shkarkojë, duke kthyer në klub izraelitin Avram Grant. Ky pritet të kthehet te Çelsi fillimisht si këshilltar i Benitez dhe nëse gjërat nën drejtimin e spanjollit nuk ndryshojnë, atëherë ai do të shkarkohet dhe Grant do të bëhet trajner i përkohshëm deri në fund të sezonit, periudhë gjatë të cilës miliarderi rus do të mundohet të bindë Pep Guardiolën të marrë drejtimin e ekipit londinez. /SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 235 here

Fjalët kyçe