Besa premton angazhim, jo edhe rezultat të denjë

Data e publiklimit: Saturday, September 8th, 2012

Kampionia e Kosovës në hendboll Besa Famiglia të sonte nga ora 19:00 do të përballet me Borcin në Banjallukë të Bosnjë-Hercegovinës. Ndeshja do të jetë e vlefshme për rrethin e parë të Kupës së EHF-së. Ndeshja e kthimit zhvillohet pas një jave në Pejë. Skuadra e përbërë nga serbët, që përfaqëson Bosnjë-Hercegovinën, Borac llogaritet favorit absolut përballë Besës.

Skuadra pejane ka udhëtuar dje për në Banjallukë, pa shumë shpresa për sukses. Besa Famiglia për herë të shtatë paraqitet në gara evropiane. Deri më tani nuk ka arritur të kalojë ndonjë rreth të garave.

“Do të jetë e vështirë përballja me Boracin. Nuk e kemi ekipin e vitit të kaluar, disa lojtarë kyç janë larguar. Por do të mundohemi të japim maksimumin që të tregojmë lojë sa më të mirë”, ka thënë për gazetën Koha Ditore para nisjes Enis Kastrati, kapiten i Besës.

Besa ka pasur vështirësi financiare para përballjeve me ekipin serb. Megjithatë ka arritur të angazhojë disa lojtarë, si Enis Kabashin, Alban Dobroshin, Mende Petkoskin e Risto Trajkovskin.

Ndërkohë, te Boraci nuk e kanë vënë në dyshim fitoren kundër skuadrës kosovare.

“Kemi punuar mirë, lojtarët janë shumë mirë të përgatitur fizikisht dhe nuk kam asnjë arsye për tu brengosur para ndeshjes së parë zyrtare të stinorit. Dihet se çka pritet nga ne në duel me Besën. Kundërshtari ndoshta nuk është atraktiv, por pres që palestra ‘Borik’ do të jetë e mbushur mirë dhe që tifozët tanë me anim korrekt do të na ndihmojmë të marrim rezultat sa më të mirë para revanshit në Pejë”, ka thënë trajneri i Boracit, Zoran Trniniq.

Kosovën në gara evropiane këtë edicion e përfaqësojnë edhe tri skuadra të tjera./SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 1152 here

Fjalët kyçe