Boks: Xhoxhaj fiton përballjen e parë në Botëror

Data e publiklimit: Saturday, December 1st, 2012

Boksieri kosovar Armend Xhoxhaj ka fituar sfidën e tij të parë në Botërorin e juniorëve në boksin amator, që po mbahet në Jerevan të Armenisë. Xhoxhaj, të premten, në duelin e kategorisë deri në 81 kilogramë ka mposhtur boksierin nga Republika Dominikane, Joaquin Berroa Lugo me rezultatin 21:18. Xhoxhaj luftën e vendosi në favor të vetin në raundin e tretë, të cilin e fitoi me rezultatin 9:6. Koha Ditore informon se ai tash gjendet në 1/8 e finales të Botërorit, ku sfidën e radhës do ta ketë më 3 dhjetor. Do të përballet me anglezin Steed Barnaby Woodall.

Kosova në Botërorin e juniorëve u paraqit me dy boksierë. Një ditë më parë Besart Kurhasku pësoi me ndërprerje pas vetëm 61 sekondave nga meksikani Carlos Sanchez, në kategorinë deri në 64 kilogramë.

Kjo është hera e parë që Kosova paraqitet në një Botëror të juniorëve. Delegacioni i Kosovës në Armeni kishte hasur në vështirësi ku ishte dashur të kalonte 32 orë në aeroport, pasi shteti armen nuk njeh Kosovën dhe nuk kishte lejuar hyrjen e tyre. U desh një intervenim i presidentit të AIBA-s, Ching-Kuo Wu për të lejuar hyrjen e delegacionit të Kosovës dhe pjesëmarrjen në Botëror.

Muajin e kaluar Kosova u paraqit në Evropianin e junioreve me Albulena Gubetinin, e cila pësoi në sfidën e saj të parë.

Ky publikim eshte lexuar 419 here