Borxhet mund ta përjashtojnë Malagan nga “Champions”

Data e publiklimit: Saturday, December 1st, 2012

Skuadra spanjolle Malaga është një prej nëntë klubeve që pritet të marrin ndëshkime tjera nga UEFA për mospagim të borxheve, ndërsa ky është tentimi i radhës i federatës evropiane për të kontrolluar shpenzimet e çmendura.

UEFA bëri me dije se ka tërhequr suspendimin për mosmarrje të bonuseve për 16 nga 23 skuadrat që ishin ndëshkuar në shtator. Skuadrat ishin ndëshkuar për mospagim të borxheve ndaj skuadrave tjera, stafit të tyre dhe autoriteteve tatimore, raporton agjencia Reuters.

Por, skuadra me pronar nga Katari, Malaga, që është kualifikuar në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve këtë edicion, ka dështuar të shlyejë borxhet në afatin e caktuar deri në fund të shtatorit.

Çështja e Malagës tash është bartur te dhoma gjykuese e UEFA-s, që mund të japë dënime edhe me diskualifikim nga garat aktuale.

Pas investimeve të mëdha vitin e kaluar, me të cilat arriti në Ligën e Kampionëve, Malaga gjatë kësaj vere kishte hasur në vështirësi financiare, ku vonoi pagat e lojtarëve dhe u detyrua të shesë disa prej yjeve kryesore.

Zyrtari medial i Malagës ka thënë se klubi është duke punuar që të shlyejë borxhet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe shpreson që të zgjidhë këtë situatë që ka me UEFA-n. Ai po ashtu ka shtuar se Duda, një prej kapitenëve të klubit, ka thënë të enjten se ai dhe lojtarët tjerë janë të kënaqur me garancinë që kanë marrë.

UEFA ka prezantuar Rregullin Financiar Fair-Play si masë për të detyruar klubet evropiane që të mbajnë në kontroll financat. Klubet mund të përballen me përjashtim nga garat evropiane nga stinori 2014-15 nëse nuk barazojnë shifrat.

Klubet tjera që po përballen me masa nga UEFA janë ato kroate Hajduk Split dhe Osijek, ato serbe Partizan e Vojvodina dhe rumune Rapid Bukuresht e Dinamo Bukuresht. Po ashtu po përballen me masa edhe skuadra polake Lech Poznan dhe ajo ukrainase Arsenal Kiev. Këto dy klube nuk ishin në mesin e 23 klubeve, sa u përmenden në raportin në shtator. /SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 321 here