Copa Sudamericana, “paqe” në finale e parë

Data e publiklimit: Thursday, December 6th, 2012

Nuk ka ende një skuadër favorite për të fituar Copa Sudamericana, trofe i barazvlefshëm me Europa League në Europë.

Në finalen e parë të turneut mes argjentinasve të Tigres dhe brazilianëve të Sao Paulos, nuk ka fitues sepse 90 minutat e luajtura në “Bombonera” u mbyllën me rrjeta të paprekura.

Përpara 25 mijë tifozëve, Tigre nuk arriti të fitonte ndeshjen e parë dhe kjo e bën më të vështirë finalen e dytë të argjentinasve, të cilët do të udhëtojnë në fushën e një prej skuadrave më legjendare të Brazilit.

Të dyja ekipet e mbyllën ndeshjen me nga 10 lojtarë pasi Luis Fabiano dhe lejandro Donatti u ndëshkuan me karton të kuq në minutën e 15 nga gjyqtari Antonio Arias. Sao Paulo, klubi më i titulluar i Amerikës së Jugut, dominoi pjesën e parë, madje në minutën e 4, portieri vendas Damian Albil bëri mrekullinë duke shpëtuar skuadrën e tij nga një gol i sigurt.

Një tjetër rast për miqtë ishte edhe ai i Rhodolfos por sërish gardiani vendas reagoi në kohë. Pothuajse e njëjta tablo u shfaq edhe në pjesën e dytë ku brazilianët tre herë fitues të Copa Libertadores, nuk arritën ta zhbllokojnë takimin, duke e shtyrë gjithçka për ndeshjen e kthimit që do të luhet në 12 Dhjetor./SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 257 here

Fjalët kyçe