E bëmë maksimumin

Data e publiklimit: Friday, December 28th, 2012

Edhe pse sportet kryesore të Kosovës si futbolli e basketbolli mbeten ende të izoluar, viti 2012 ishte i suksesshëm në procesin e ndërkombëtarizimit të disa federatave të tjera. Kështu ka vlerësuar Besim Hasani, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës. Edhe pse kjo e fundit nuk u njoh nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Hasani thotë edhe në këtë segment janë bërë përparime të theksueshme. Ai thotë se ishte e pamundur të bëhej diçka më shumë.

Ministria e Sportit nuk është institucioni i vetëm që vitin 2012 e vlerësoi si mjaftë të suksesshëm për sportin kosovar. Vlerësim të tillë ka dhënë edhe Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK).

Madje, për kryetarin e institucionit më të lartë sportiv në vend, Besim Hasani, viti 2012 ishte më i miri për sportin kosovar në periudhën e pasluftës.

Në fakt, edhe pse sportet kryesore si futbolli e basketbolli mbeten edhe më tutje nën izolim, ky vit ishte i suksesshëm sa i përket ndërkombëtarizmit të disa federatave tjera.

Në fakt, në harkun e 365 ditëve, si asnjëherë më parë, katër Federata olimpike sportive të vendit tonë, dy prej tyre me të drejta të plota dhe dy të tjera me të kufizuara, u futën nën ombrellat e Federatave përkatëse ndërkombëtare.

Fjala është për Federatën e Xhudos, e cila në muajin prill u pranua me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Xhudos (IJF). Ndërsa, vetëm një muaj më vonë, Federata e Lundrimit e Kosovës e mori dritën jeshile nga ajo Ndërkombëtare (ISAF), duke u bërë pjesë e kësaj të fundit me të drejta të plota. Kurse, Federata e Karlingut dhe ajo e Boksit u ndërkombëtarizuan me drejta të kufizuara.

E kjo po konsiderohet si një arritje historike nga kreu i KOK-ut. “Në rrafshin ndërkombëtar, ku kemi qenë shumë të përqendruar, ia kemi dal t’i anëtarësojmë në federatat përkatëse ndërkombëtare katër Federata të Kosovës. Kjo është një arritje e madhe, kur i kemi parasysh pengesat që i kishin përpara, e që po vazhdojnë të na përcjellin”, u shpreh Hasani.

Përkundër faktit se Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) me këtë rast e plotësoi kushtin teknik të vendosur nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për pranimin e pesë Federatave olimpike sportive, që nënkupton se Kosova do të duhej të merrte pjesë në Lojërat Olimpike ‘Londra 2012’, kjo gjë nuk ndodhi dhe KOK-u vazhdon të mbetet jashtë IOC-së.

“Ne arritëm ta plotësojmë kushtin teknik të vënë nga IOC-ja, por nuk ka pasur shanse të pranoheshim apo të merrnim pjesë në Olimpiadë me flamurin e Kosovës. Kjo pasi IOC vazhdon të ‘manipuloj’ me atë që thuhet në kartën olimpike se ne duhet të njihemi fillimisht nga Komuniteti Ndërkombëtar. Kjo është e paqartë. Megjithatë, prezenca e Majlinda Kelmendit ishte një e arritur e madhe”, ka theksuar ai.“Ishte e pamundur të bëhet diçka më shumë. Besoni, nuk kemi lënë gurë pa e lëvizur, e njeri pa iu drejtuar”, shtoi Hasani.

Megjithatë, Hasani theksoi se gjatë vitit 2012, Kosova shkroi historinë, ngase për herë të parë u vizitua e u inspektua nga njerëz me ndikim të madh në IOC. Fjala është për vizitën e presidentit të Federatës Botërore të Boksit Amator (AIBA), njëherësh anëtarit të Bordit të IOC-së, Ching Kuo Wu dhe atë të drejtorit të IOC-së për marrëdhënie me komitetet olimpike të vendeve anëtare të tij, Pere Miro dhe zëvendësit të tij, Jerome Poivey.

Hasani kujtoi se pas këtyre vizitave, në fund të nëntorit Bordi i IOC-së për herë të parë diskutoi me seriozitet rreth Kosovës. Ai është shpreh i kënaqur që Federatat dhe KOK-u mbajtën zgjedhje menjëherë pas Olimpiadës ‘Londra 2012’, duke u futur sporti kosovar në ciklin olimpik, siç bëjnë të gjitha vendet e zhvilluara./SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 2748 here

Fjalët kyçe