Ekleston: Unë plakush? Kam mijëra ide në kokë

Data e publiklimit: Friday, December 7th, 2012

Bosi i Formula 1, Berni Ekleston, ka hedhur poshtë pretendimet se ai është shumë i vjetër që të jetë sërish aktiv në sport, duke këmbëngulur se ka “edhe mijëra ide të tjera për t’i realizuar”. Më herët, presidenti i Ferrarit, Luka di Montezemolo, sugjeroi që 82-vjeçari anglez është shumë i vjetër për të drejtuar F1. “Unë nuk ndjehem 82, dhe në të vërtetë unë do të shkoj në Gjenevë, pastaj në Stamboll në mbledhjen e Këshillit Botëror për të parë nëse mund ta rikthejmë Çmimin e Madh të Turqisë në F1,- ka thënë Eklestone për ‘Gazzetta dello Sport’. – Dhe unë nuk kam ndërmend të ndalem këtu, kam edhe një mijë ide të tjera. Unë jam 82 dhe askush nuk mund ta mohojë këtë. Por, kohë më parë, unë diskutoja çështje me një zotëri 88-vjeçar, kur Luka ishte 40 vjeç. Emri i tij ishte Enco Ferrari. Më besoni, në atë moshë ai të bënte që të dridheshe, sepse ishte tmerrësisht i vështirë, i mprehtë dhe i qartë me mendje”. Megjithatë, Ekleston nuk ka preferuar të bëjë polemika me numrin 1 të Ferrarit. “Më shumë se një herë ai më ka sulmuar mua, por në fund ne e kuptojmë njëri-tjetrin. Unë nuk kam asnjë ndjesi negative karshi tij, gjithsesi, respektoj mendimin e tij. Nuk është dramë”. Në fund të deklaratës, Ekleston ka kritikuar vendimin e marrë nga Mikael Shumaker që u rikthye në 2010-n në Formula 1 me skuderinë e Mercedesit, pas tërheqjes së parë në 2006-n. /SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 786 here

Fjalët kyçe