El Sharaui: Rroftë kriza financiare!

Data e publiklimit: Friday, December 28th, 2012

Sulmuesi i Milanit, Stefan El Sharaui, ka deklaruar se shpërthimi i tij në radhët e Milanit në këtë sezon është vetëm falë vështirësive ekonomike që ka pasur klubi, ndonëse ka pranuar se viti 2012 ka tejkaluar çdo parashikim që kishte për karrierën e tij.

Një vit më parë, lojtari ishte jashtë skuadre, i transferuar nga Xhenoa por i aktivizuar me pikatore. Por tani, ai është titullar i paprekshëm, pasi ka shënuar 14 gola në 18 ndeshje në kampionat, duke qenë golashënuesi më i mirë në Serinë A.

“Ishte pak e papritur”, pranoi 20 vjeçari për “La Stampa”. “Një vit më parë, as që nuk do ta besoja po të më thoshin se do të isha golashënuesi më i mirë i Serisë A në këtë pikë të sezonit. Kriza ekonomike më ka ndihmuar. Shumë të rinjve u është dhënë mundësia të tregojnë aftësitë e tyre dhe ata kanë përfituar nga një gjë e tillë. Ne thjesht na nevojitej pak hapësirë. Nuk ka kuptim të kërkosh dhe të blesh lojtarë nga jashtë kur ke lojtarë të mirë në vendin tënd”.

Pavarësisht mundësisë që klube të mëdha të kërkojnë të blejnë lojtarin në të ardhmen, sulmuesi shpreson që të vazhdojë të qëndrojë te kuqezinjtë në karrierën e tij.

“Kam qenë tifoz i Milanit që fëmijë, megjithatë, nuk ka asgjë të sigurt në futboll. Nëse një ofertë e mirë do të bëhej për mua, shpresoj që Milani të ketë forcën t’i rezistojë asaj dhe të më mbajë”/SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 1115 here

Fjalët kyçe