Euro2020 do luhet në të gjithë Europën

Data e publiklimit: Friday, December 7th, 2012

Ndeshjet finale të kampionatit europian të futbollit në vitin 2020 do të zhvillohen në një numër të madh qytetesh europiane dhe jo në një vend të vetëm.

Rregulli i ri u njoftua nga sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Gianni Infantino në përfundim të takimit të drejtuesve të saj në Lausanne të Zvicrës.

“UEFA Euro2020 do të shtrihet në të gjithë kontinentin, në disa kryeqendra të Europës, kjo në bazë të një vendimi të marrë ditën e sotme”, deklaroi sekretari i qeverisë së futbollit europian, duke shtuar më pas se propozimi është pritur me shumë pozitivitet nga të gjitha federatat kombëtare të futbollit.

Ideja për të mos përcaktuar një vend fiks për zhvillimin e kampionatit europian të futbollit u hodh fillimisht nga kreu i UEFA-s, Michelle Platini vitin e kaluar në kuadër të nismës “Një europian për gjithë Europën”.

Vendimi prish traditën e zhvillimit të njërit prej kompeticioneve më të rëndësishme futbollistike ndërkombëtare në vetëm një apo dy vende. Euro2012 u zhvillua në Poloni dhe Ukrainë, ndërsa Euro2016, i fundit me rregullin ekzistues do të zhvillohet në Francë. /SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 206 here

Fjalët kyçe