Evra: Faleminderit PSZH, por unë preferoj Junajtid!

Data e publiklimit: Monday, December 10th, 2012

Mbrojtësi i Mançester Junajtid, Patris Evra, ka deklaruar se është i lumtur për interesimin e PSZH, por do të vazhdojë të qëndrojë në radhët e skuadrës angleze. Kontrata e mbrojtësit francez me kryesuesit e kampionatit anglez përfundon në mbylljen e sezonit të ardhshëm, por disa paraqitje të tija të dobëta si dhe zërat për blerjen e mundshme të Leiton Beins, kanë bërë që të lindin spekulime për të ardhmen e tij.

Klubi më i interesuar, sipas asaj që raportojnë mediat angleze, mund të jetë PSZH, i cili e sheh atë si alternativën më të mirë nëse nuk arrin të sigurojë mbrojtësin e Çelsit, Eshli Kol. Por vetë Evra e ka hedhur poshtë hipotezën e ndryshimit të skuadrës në janar, apo gjatë verës.

“Parisi është klubi i kryeqytetit, nuk e kam fshehur kurrë dashurinë time për atë qytet, por skuadra e zemrës do të vazhdojë të mbetet Monako. Do të më pikëllojë gjithmonë të shoh se kjo skuadër nuk fiton kampionate apo kualifikohet në Ligën e Kampioneve”.

“Kuptohet që është gjithmonë një kënaqësi kur PSZH interesohet për mua, sidomos për faktin se unë jam parisien, por do të duhet të vrasin Ferguson që të mund të më marrin në skuadër. Nuk është gjë që bëhet dhe unë jam i lumtur në Mançester”, ishin fjalët e mbrojtësit francez pas derbit të ndjeshëm ku ai luajti si titullar dhe ndihmoi skuadrën e tij të fitonte me rezultatin 3-2. /SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 218 here

Fjalët kyçe