Falcao, njeriu më i kërkuar në Premier League

Data e publiklimit: Saturday, December 1st, 2012

Tifozët e Chelseat dhe Manchester Cityt kanë një arsye shumë të fortë për ta përcjellë derbin e Madridit që zhvillohet të shtunën mbrëma në stadiumin “Santiago Bernabeu”.

Spekulimet e vazhdueshme kanë lidhur emrat e dy skuadrave më shpenzuese në Premier League për një lëvizje gjatë afatit kalimtar të janarit për Radamel Falcaon, i cili me 11 gola të shënuar në La Liga ka bërë që Atletico Madridi të jetë kandidat për titullin e kampionit.

Së bashku me Cristiano Ronaldon e Real Madridit dhe Lionel Messin e Barcelonës, sulmuesi kolumbian këtë edicion është ylli më i madh në Spanjë. Aftësia e 26-vjeçarit për të shënuar gola nuk është aspak befasi, pasi ai llogaritet si sulmuesi më i rrezikshëm në botën e futbollit, shkruan BBC, transmeton Koha Ditore.

Falcao për herë të parë në Evropë erdhi në vitin 2009, kur iu bashkua skuadrës portugeze Porto.

Golat e tij me ekipin portugez ia rritën edhe më shumë vlerën, pasi Falcao në çdo ndeshje të paktën shënonte nga një gol. Kjo bëri që në verën e vitit 2011 të transferohet te Atletico Madridi për një dëmshpërblim prej 40 milionë eurosh.

Edhe pse edicioni i parë i Falcaos te Atletico ishte i suksesshëm, ai tërhoqi vëmendjen sidomos në fillim të këtij edicioni. Edicionin e shkuar Falcao shënoi 36 gola dhe i siguroi Atleticos trofeun e Europa League. Ndërsa, në fillim të këtij edicioni, Falcao me “hat-trick” gjunjëzoi skuadrën e Chelseat, në finalen e Superkupës së UEFA-s.

Dëmshpërblimi që duhet ta paguajnë skuadrat për ta transferuar Falcaon është rreth 60 milionë euro.

“Falcao vlen edhe më shumë se 60 milionë euro. Ai është sulmuesi më i rrezikshëm në botë dhe ia vlen çdo qindarkë për ta pasur në ekip”, tha gazetari i së përditshmes “El Pais” John Carlin. “Është fantastik në ajër, luan me të dyja këmbët dhe është në gjendje të shënojë në çdo ndeshje”.

Sipas Carlinit, Falcao nuk do ta ketë aspak problem për t’u adaptuar në Premier League që është e njohur më shumë për futboll fizik.

Edhe pse skuadrat super të pasura si PSG e Anzhi Makhachkala kanë treguar interesim të fortë për Falcaon, destinacioni më i preferuar i kolumbianit duket të jetë Premier League.

Skuadra e Chelseat konsiderohet favorite për të siguruar shërbimet e sulmuesit, pasi ai përfaqësohet nga agjenti portugez Jorge Mendes, i cili në të shkuarën ka dërguar në “Stamford Bridge” emrat si Jose Mourinho, Luiz Felipe Scolari, Ricardo Carvalho dhe Paolo Ferreira. /SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 247 here

Fjalët kyçe