Falkao nuk kënaqet me barazim ndaj Realit

Data e publiklimit: Tuesday, November 27th, 2012

Radamel Falkao ka bërë të qartë se nuk do të kënaqet me një barazim në derbin e fundjavës mes Atletiko Madrid dhe Real Madrid, që luhet në stadiumin e këtyre të fundit, “Santiago Bernabeu”.

“Lojtarët hyjnë në fushë me qëllimin për të fituar. Nuk e shoh veten duke hyrë në fushë për të barazuar, ndonëse rrethanat mund të sjellin që ndeshja të përfundojë në një barazim. Por kur lojtarët hyjnë në fushë, hyjnë vetëm për fitore”, shpjegoi ai për “Cadena Ser”.

“A është barazimi një rezultat i mirë? Ne lojtarët e mendojmë ndryshe, duam gjithmonë të fitojmë dhe kjo është mënyra për të përballur sfidat. Është e lindur ndjenja që kemi, ajo e shpirtit konkurrues për të fituar dhe kaluar rivalët”, tha sulmuesi kolumbian.

Drejtuesit e emisionit sportiv i kujtuan atij se Atletiko Madrid nuk fiton në “Santiago Bernabeu” që nga vitit 1999 dhe që atëherë ka lindur “legjenda urbane” që stadiumi i Realit frikëson lojtarët e Atletikos.

“Thuhet kështu por unë nuk kam luajtur kurrë në atë stadium dhe nuk mund t’ua provoj. Ndeshja ndaj një rivali klasik është mjaft e veçantë, të gjithë duam të luajmë në maksimum dhe të fitojmë. Pavarësisht situatave që mund të jenë duke kaluar skuadrat, në derbi nuk ka rëndësi, futbollistët harrojnë gjithçka dhe hyjnë në fushë vetëm për të fituar”, tha Falkao, i cili në fund ka thënë edhe se nuk beson se Atletiko Madrid do të jetë në gjendje të rivalizojë me Barcelonën për titullin kampion, ndonëse është ndjekësi më i afërt i ekipit katalanas. /SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 312 here