Federata e Zambias hedh poshtë rekordin e Mesit

Data e publiklimit: Wednesday, December 12th, 2012

Federata e Futbollit e Zambias pretendon se Godfri Çitalu mban rekordin për numrin më të madh të golave të shënuar në një vit kalendarik dhe jo Lionel Mesi. Argjentinasi shënoi golin e tij të 86-të në fitoren 2-1 të Barcelonës kundër Betis në fundjavë, për të thyer rekordin e 85 golave në një vit që mbahej nga Gerd Myler. Por tashmë shteti afrikan pretendon se ish-sulmuesi i ekipit të këtij vendi, Kabue Uorriors, ka shënuar shifrën fantastike të 107 golave në vitin 1972.

“Ne kemi këtë rekord, i cili është regjistruar në futbollin e Zambias, por fatkeqësisht nuk njihet ende nga futbolli botëror”, tha një zëdhënës i federatës së këtij vendi për “NewsDay Zimbabwe”.

“Ndërsa bota po shihte rekordin e Mesit, duke thyer rekordin e Myler, debati dhe diskutimet në vendin tonë kanë qenë pse golat e Godfri nuk njihen. Ne kemi punësuar një komision të pavarur lokal që të kërkojë mes arkivave dhe të regjistrojë një për një këto gola me dëshmitë përkatëse”.

“Ky komision do të përllogaritë të gjithë golat, duke regjistruar çdo ndeshje apo turne në të cilën janë shënuar. Më pas, këto të dhëna do t’i dërgojmë në Konfederatën Afrikane dhe FIFA, në mënyrë që të tregojmë se ndërkohë që ekziston rekordi i Mesit dhe ai i Myler, mbajtësi real i rekordit të golave në një vit kalendarik është një afrikan, Godfri Çitalu”.

Çitalu u nda nga jeta në vitin 1993, në një aksident ku avioni me të cilin udhëtonte kombëtarja e Zambias u rrëzua dhe të gjithë pasagjerët humbën jetën./SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 511 here

Fjalët kyçe