Ferguson-Mançini, duel mediatik para derbit

Data e publiklimit: Saturday, December 8th, 2012

Derbi i Mançesterit që do të luhet të dielën është ndezur para kohe nga dy trajnerët, Aleks Ferguson dhe Roberto Mançini, të cilët me deklaratat e tyre kanë filluar lojën e famshme psikologjike që zhvillohet zakonisht në këto raste.

I pari ishte Ferguson, i cili sulmoi gjyqtarët që sipas tij japin shumë penallti në favor të Mançester Sitit. “Nëse do të na jepnin ne penalltitë që janë dhënë për Sitin, tani do të kishte një hetim parlamentar ndaj nesh”, tha trajneri skocez.

Por në fakt, kjo deklaratë e tij lë pak për të dëshiruar, pasi në këtë sezon, Junajtid ka fituar më shumë penallti (5) se Siti (4). Edhe në sezonin e kaluar, Mançester Junajtid fitoi 11 penallti ndaj 8 të fituara nga Mançester Siti dhe vetëm po të përfshihen të dhënat që nga sezoni 2010-2011, atëherë të dy skuadrat shkojnë barazim në numrin e penalltive të fituara, me 21 të tilla.

Me deklaratën e tij, edhe pse statistikisht të gabuar, Ferguson u mundua t’i tërhiqte vëmendjen gjyqtarëve, të cilët kanë dhënë 3 penallti në 4 ndeshjet e fundit për Mançester Sitin.

Megjithatë, deklaratat e skocezit nuk kanë shqetësuar shumë Roberto Mançinin, i cili për vete është hedhur në sulm ndaj tij. I pyetur nëse skuadra do të ndjente në derbi peshën e eliminimit nga Liga e Kampioneve, trajneri italian e ka kthyer përgjigjen e tij në një sulm ndaj rivalit.

“Mos harroni se Ferguson ka fituar kampionatin e tij të parë pas 7 viteve në drejtim dhe Ligën e Kampioneve të parë pas 13 sezonesh. Kështu i bie që unë të kem edhe 11 sezone në dispozicion për të fituar Ligën e Kampioneve”, deklaroi Mançini, duke ndezur më shumë atmosferën./SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 342 here