FIFA: Teknologjia në fushë në Botërorin e Klubeve

Data e publiklimit: Thursday, December 6th, 2012

Sekretari i përgjithshëm i FIFA-s Jerome Valcke përshëndeti futjen e teknologjisë në futboll, gjë që sipas tij do të sjellë një revolucion në këtë sport, por njëkohësisht do të ndihmojnë gjyqtarët për shmangien e golave fantazëm. Teknologjia e vijës së portës do të aplikohet për herë të parë në Kupën e Botës për Klube, në Japoni dhe ky është rasti i parë kur në një aktivitet zyrtar përfshihet një teknologji e tillë. 51-vjecari francez, i cili është në postin e sekretarit të përgjithshëm të FIFA-s që prej muajit qershor të vitit 2007 mbajti një konferencë për shtyp në kryeqytetin nipon ku konfirmoi pikërisht përdorimin e këtyre metodave të reja, në këtë kompeticion. Në stadiumin e Yokohama-s do të përdoret mbi vijën e portës një sistem i bazuar në fushën magnetike, ndërsa Toyota Stadium është pajisur me kamera sipas modelit Hawk-Eye, që të dy këto sisteme janë provuar dhe testuar me rigorozitet deri në detaje, e tashmë janë aprovuar plotësisht nga FIFA.

Pas Kupës së Botës për Klube, FIFA do të analizojë raportin përfundimtar dhe do të vendosë përfundimisht nëse për Kupën e Konfederatave që do të mbahet në Brazil vitin e ardhshëm do të zgjedhë sistemin Hawk-Eye, apo atë GoalRef, sidoqoftë mendohet që e njëjta teknologji që do të përdoret gjatë vitit të ardhshëm, më pas do të vihet në jetë edhe gjatë finaleve të Botërorit, që do të mbahen në Brazil, në vitin 2014. Jerome Valcke deklaroi se presidenti i UEFA-s Michel Platini nuk duhet të jetë kundër përdorimit të teknologjisë, sepse një risi e tillë nuk e ndryshon aspak shpirtin, frymën, shpejtësinë, apo dhe vlerat që kjo lojë përcjell në masat e gjera.

Kostoja e instalimit, për të dy sistemet të marra së bashku, sipas Valcke-s përafrohet me vlerën 1 mln $, i cili gjithashtu shtoi se pavarësisht se për momentin përdorimi i kësaj teknologjie duket se ka një kosto tepër të lartë, ai pret që cmimi të bjerë ndjeshëm në të ardhmen. Si afat i fundit për zgjedhjen përfundimtare që do të përdoret në Brazil është përcaktuar muaji mars i vitit 2013./SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 364 here

Fjalët kyçe