Gjibraltari debuton në UEFA

Data e publiklimit: Thursday, December 6th, 2012

Ndërsa UEFA nuk miraton pjesëmarrjen e skuadrave dhe kombëtares kosovare në turnetë e saj, apo edhe vetë anëtarësimin e Kosovës në arenën e futbollit ndërkombëtar, duket se nuk ka problem t’i garantojë këto të drejta kolonisë së vogël të Gjibraltarit.

Kjo koloni e vogël britanike që ka një popullsi prej rreth 28 mijë banorësh, dje ka marrë pjesë për herë të parë në shorteun e organizuar nga UEFA për kampionatet e moshave, vetëm dy muaj pasi u pranua si anëtar i përkohshëm i organizatës të futbollit evropian.

Gjibraltari përfundoi në një grup me Anglinë, Armeninë dhe Irlandën në fazën e parë të turneu për U-17, ndërsa do të vihet kundër Kroacisë, Çekisë dhe Qipros në edicionin për U-19. Gjatë hedhjes së shortit, ishte parashikuar që Gjibraltari dhe Spanja të mos viheshin bashkë, pasi ky vend e kundërshton ashpër pranimin e kolonisë së vogël nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s.

Vendimi për të cilësuar Gjibraltarin si anëtarin e 54-t të UEFA-s, me të drejta të plota, do të diskutohet në Kongresin e Përgjithshëm të kësaj organizate në Londër, në majin e vitit 2013.

Çështja e Gjibraltarit është përforcuar nga një vendim i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, e cila bëri të ditur se UEFA ishte e detyruar në bazë të rregulloreve të saj të pranonte aplikimin e kësaj kolonie që vazhdon të mbetet një “mollë sherri” mes Spanjës dhe Anglisë.

Spanja vazhdon të pretendojë se ka sovranitet mbi Gjibraltarin, ndonëse ajo iu dha Britanisë së Madhe pas Traktatit të Utrehtit të vitit 1713. Një vendim i qeverisë në Spanjë urdhëron të gjitha federatat sportive që të bllokojnë anëtarësimin e çdo lloj organizate sportive nga Gjibraltari në arenën ndërkombëtare./SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 294 here

Fjalët kyçe