I kërkon Turqia e Sllovenia

Data e publiklimit: Friday, December 14th, 2012

Turqit nuk po i lënë rehat dy xhudistet më të mira kosovare, Majlinda Kelmendin e Nora Gjakovën. Kjo pasi Galatasaray po bën përpjekje të mëdha që t’i bëjë për vete të dyja pejanet, të cilat më pas do mund t’i mbronin edhe ngjyrat e Turqisë, e jo të Kosovës. Në planet e turqve bën pjesë edhe trajneri Driton Kuka, i cili bashkë me Majlindën e Norën po kërkohen edhe nga Sllovenia. Megjithatë, Kosova mbetet prioriteti i tyre.

Turqia nuk po e lë rehat klubin më të suksesshëm kosovar të xhudos, Ippon nga Peja, që udhëhiqet nga trajneri i njohur Driton Kuka.

Tash e një kohë të gjatë turqit po i bëjnë presion të madh e të vazhdueshëm trajnerit pejan, që bashkë me dy xhudistet më të mira kosovare, Majlinda Kelmendin e Nora Gjakovën ta lënë Kosovën për ta vazhduar karrierën në Turqi.

Në fakt, klubi turk i xhudos, Galatasaray është ai që po mundohet t’i rrëmbejë nga Ipponi dhe Përfaqësuesja e Kosovës Kelmendin, Gjakovën dhe trajnerin e tyre, me ç’rast ata më pas përveç ekipit turk, do të mund t’i mbronin dhe ngjyrat turke nëpër gara të ndryshme ndërkombëtare.

Këtë e ka pranuar edhe vetë Driton Kuka për Gazetën Express.

Realisht, turqit qysh më moti iu kanë ‘vërsul’ Kelmendit dhe trajnerit të saj. Mirëpo, Majlinda Kelmendi e Driton Kuka janë bërë objektiva të mëdha të turqve sidomos pas pjesëmarrjes së tyre në Olimpiadën ‘Londra 2012’, e po ashtu pas triumfit të pejanes në Kampionatin Evropian U-23.

Një arsye tjetër e fort që po i nxit turqit për t’i bërë të veta Majlinda Kelmendin e Nora Gjakovën është se në tetor Galatasaray ua ka pa hairin këtyre dy garueseve.

“Në tetor klubi ynë Ippon ia pati huazuar Galatasarayt Majlinda Kelmendin e Nora Gjakovën. Me këto dy garuese tona, Galatasaray e pati zënë vendin e tretë në Champions League, me ç’rast e ka fituar një shumë tepër të madhe të parave. Andaj, Galatasaray po na dëshiron të treve, me shpresë se ashtu do të mund ta zinte vendin e parë në Champions League, me ç’rast do të përfitonte edhe shumë më shumë para”, shpjegon Kuka për Express.

“Andaj, insistimi i tyre për të na angazhuar është jashtëzakonisht i madh, i cili ka nisur qysh më moti. Madje, ata kanë shprehur gatishmërinë që ta formojnë një delegacion për të ardhur në Kosovë, që të bisedojë rreth kësaj çështje me klubin Ippon, Federatën e Xhudos së Kosovës dhe me Ministrinë e Sportit”, thotë Kuka.

Por, ai pohon se nuk po u lë hapësirë turqve të vijnë në Kosovë për këtë çështje. “Unë, por as dy xhudistet, aktualisht nuk jemi të interesuar ta lëmë Kosovë. Prandaj, nuk po merremi fort me këtë çështje”, vazhdoi Kuka.

Trajneri pejan thotë se bashkë me Kelmendin e Gjakovën duan të qëndrojnë në Kosovë. Mirëpo, ai u bëri thirrje institucioneve shtetërore t’u ofrojnë komoditet.

“Ne po shpresojmë që në vitin 2013 do të realizohen ato premtime që kanë të bëjnë me shpërblime për rezultate kulminantë. Ligji i Sportit tashmë ekziston, dhe ai parasheh shpërblime për sportistët që arrijnë rezultate kulmore, por ka mbetur që të specifikohen disa detaje, si për shembull shumat e parave. Tani me këtë punë i takon të merret më së shumti Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK). Shpresojmë që kjo të kryhet sa më shpejt”, theksoi Kuka.

Ai nuk e mohoi mundësinë që oferta e turqve për të dhe dy xhudistet e tij të jetë më e joshëse sesa ajo e para pak vjetësh që ua kishte bërë Azerbajxhani. “Nuk mund të them, sepse nuk po merremi me ta. Aktualisht jemi për Kosovën”, tha ai.

Përveç Turqisë, presion thuajse të ngjashëm këtyre tre pejanëve po u bën njëkohësisht dhe Sllovenia. “Oferta nga Sllovenia vazhdimisht na ndjek. Ata nuk ndalen duke na kërkuar”, përfundoi Kuka./SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 1176 here

Fjalët kyçe