Jurgen Klop, “Plani B” i Çelsit

Data e publiklimit: Saturday, December 8th, 2012

Çelsi ka filluar të ndërtojë një liste me kandidatë të ndryshëm për pankinën e saj nëse Pep Guardiola do të refuzojë ofertën për t’u bërë trajneri i kësaj skuadre në sezonin e ardhshëm.

Mediat angleze kanë raportuar se bisedimet me stafin e Guardiolës nuk kanë shkuar siç pritej, pasi trajneri spanjoll ka rezerva ndaj mënyrës si punohet te londinezët. Ai shqetësohet mbi trajtimin që iu është bërë trajnerëve të mëparshëm nga Roman Abramoviç, i cili ka ndërruar 8 të tillë që nga momenti kur e mori në pronësi klubin, ndërsa mendon se nuk do të ketë në dispozicion kohën e mjaftueshme që i nevojitet për të ndërtuar skuadrën sipas ideve të tij.

Si rrjedhojë, stafi i klubit, me në krye drejtorin teknik Majkëll Emenalo, po hartojnë listën e alternativave. Sipas “Daily Mail”, emri i parë në këtë listë është gjermani Jurgen Klop, i cili është i preferuari i Abramoviç mes “trajnerëve normal”.

Gjermani ka arritur të kthejë Borusia Dortmund në një superfuqi në Gjermani dhe këtë edicion ka përsëritur një gjë të tillë edhe në Ligën e Kampioneve. Për më tepër, rezultatet e skuadrës së tij vijnë pas një loje të bukur, që është gjëja kryesore që kërkon Abramoviç.

Nëse kampioni i dyfishtë i Gjermanisë do të refuzojë, atëherë Abramoviç do të provojë kartën e fundit për të kthyer në klub Zhoze Murinjon, edhe pse ky i fundit normalisht që do t’ia vështirësonte punën me kërkesa shumë të larta ekonomike dhe garancinë për kontroll të plotë mbi çështjet që kanë lidhej me skuadrën, gjëra për të cilat Abramoviç e largoi nga drejtimi në vitin 2007./SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 215 here

Fjalët kyçe