Kaka: Nuk iki nga Reali!

Data e publiklimit: Monday, May 7th, 2012

Rikardo Kaka nuk dëshiron të kujtohet si dështimi më i madh i historisë së Real Madrid e për këtë arsye, ka treguar se nuk do të largohet nga madrilenët, me synimin për t’u kthyer protagonist.

Në një intervistë të dhënë për “Globo TV”, lojtari brazilian ka treguar se nuk është kënaqur krejtësisht me titullin kampion të fituar, për faktin se nuk ishte mes protagonistëve kryesorë. “Jam i lumtur për titullin, një trofe tjetër për karrierën time. Por ka qenë shumë e rëndë të mos isha protagonist i fitores. Kjo ishte shumë ndryshe nga ajo që isha mësuar më parë. Megjithatë, situata më bën më të motivuar për t’u kthyer përsëri mes protagonistëve”, ishte premtimi i lojtarit.

Mesfushori ka treguar se penalltia e humbur ndaj Bajern Mynih do të ishte një prej kujtimeve më të hidhura të karrierës së tij. “Me një skenë të tillë do të përballem gjithë jetën time, ashtu si me momentet e tjera negative të karrierës si Liga e Kampioneve që humba me Milanin në vitin 2005, apo eliminimi nga Botërorët në vitet 2006 dhe 2010”.

Përsa i përket raporteve me Zhoze Murinjon, Kaka ka thënë se ai “ka ndihmuar duke i dhënë disa herë mundësi” dhe kjo është arsyeja pse nuk dëshiron të largohet nga Reali, ndonëse nuk ka folur me trajnerin rreth të ardhmes së tij. “Nuk kam folur me trajnerin pasi nuk ka mbaruar kampionati. Mua më mbeten 3 vite të tjera në kontratë dhe dua të çoj deri në fund këtë marrëveshje”, ka thënë futbollisti brazilian./SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 319 here

Fjalët kyçe