Ksavi zbulon sekretet e jetës së tij

Data e publiklimit: Saturday, December 8th, 2012

Në një intervistë të dhënë për “Daily Mail”, mesfushori i Barcelonës, Ksavi Hernandez, ka folur pak për jetën e tij private. Futbollisti katalanas zbulon se si jeta e tij është lidhur ngushtë me futbollin, aq sa nuk e imagjinon dot veten jashtë tij.

“Mendoj se Pol Skols është mesfushori më i mirë që ka luajtur në 20 vitet e fundit, ai është një shembull i shkëlqyer për të gjithë. Kuptohet se si pjesa më e madhe e mesfushorëve të Barcelonës, idhulli im ka qenë Pep Guardiola. Kam filluar karrierën te Barcelona në moshën 11 vjeçare dhe sinqerisht që nuk e imagjinoj veten me një karrierë tjetër përveç futbollit apo duke luajtur me një skuadër tjetër”, pranoi ai.

Sipas Ksavit, momenti më i paharrueshëm i karrierës së tij ishte fitorja e Kupës së Botës në vitin 2010, pas një finaleje drithëruese ndaj Holandës.

“Për atë që personifikon kjo lojë, nuk mund të mposhtësh kurrë në renditjen e karrierës momentin kur ti luan në një finale Botërori që e fiton. Nëse do të binte zjarri në shtëpinë time, do të vrapoja të shpëtoja gjëra që nuk mund të zëvendësohen. Nuk ka shumë parash në botë që mund të zëvendësojnë fanellën që ke mbajtur veshur kur ngrite Kupën e Botës”, tha ai, duke sqaruar se ndeshja më e bukur në të cilën ka luajtur, ishte ajo ndaj Real Madrid, të fituar 5-0.

“Ndjenja e superioriteti total ishte e pabesueshme. Pas ndeshjes, ne thjesht qëndronim në dhomat e zhveshjeve duke duartrokitur veten tonë, një eksperiencë joreale. Momenti më i keq? Ai ishte çasti kur të gjithë si skuadër mësuam për kancerin në mëlçi të Erik Abidal. Kjo bëri që të harrohej gjithçka tjetër. Më kujtohet se sa i fortë u tregua ai, duke na inkurajuar ai ne më shumë se sa po bënim ne me të”.

Lojtari katalanas ka pranuar se di të gatuajë kryesisht vetëm makarona, i pëlqen të kalojë pushimet në Ibiza pasi “yjet e kinematografisë dhe muzikës që shkojnë atje gjatë verës, bëjnë që të ulet interesi për futbollistët që shkojnë atje”, si dhe ka zbuluar se kë do të donte të luante rolin e tij në një film të mundshëm, apo me kë do të dëshironte të kalonte një darkë.

“Në një film të mundshëm, besoj se rolin tim do ta luante Met Demon, pasi duhet të merrni në konsideratë që nuk jam shumë i gjatë. Në një darkë me 3 persona të famshëm do të ftoja njerëz që admiroj në ato gjëra që më pëlqejnë. Padyshim që do të zgjidhja Diego Armando Maradonën, Brus Springsten dhe Robert De Niron”, tregoi futbollisti i Barcelonës./SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 254 here

Fjalët kyçe