LA Leikërs munden përsëri në shtëpi

Data e publiklimit: Monday, December 10th, 2012

LA Leikërs janë mundur në shtëpi nga Utah me rezultatin 117-110, duke iu larguar më tepër zonës së play-off, ndërsa duket se nuk dinë ende si të dalin nga kriza që i ka mbërthyer.

Kobi Brajant zhvilloi një tjetër ndeshje të madhe me 34 pikë të shënuara, por gaboi dy tentativa për tri pikë në sekondat e fundit duke mos qenë në gjendje të nxjerrë skuadrën nga situata e vështirë, të cilës i është shtuar edhe pakënaqësia në rritje e publikut që nuk është mësuar me humbjet e kalifornianëve. Në radhët e Utah, vendimtare ishte loja e Mo Uillimas që shënoi 22 pikë e 9 pasime.

Ndërkohë, Bruklin është mundur në shtëpi nga Miluoki, një skuadër që po transformohet gjithnjë e më shumë në një pretendonte serioze për renditjen mes 8 më të mirëve në Konferencën e Lindjes. Brendon Xhenings shënoi 26 pikë dhe Monta Elis shtoi 24 të tjera në triumfin 97-88, që çoi në 5 numrin e humbjeve radhazi nga Bruklin. Ky ekip shihej si pretendent në fillimin e sezonit pas një serie pozitive rezultatesh, por tani është kthyer përsëri në nivelet e mëparshme dhe duket se do të jetë një skuadër e mesit të tabelës së klasifikimit.

Për t’u shënuar është fitorja e radhës e Nju Jork ndaj Denver me rezultatin 112-106 ku protagonist kryesor ishte Karmelo Entoni, i cili u kthye në fushë pas dëmtimit duke luajtur në ndeshjen kundër ish-skuadrës së tij dhe duke shënuar 34 pikë. /SportIndeks.Com

Rezultatet

Toronto-LA Klipërs 83-102

Miluoki-Bruklin 97-88

Indiana-Oklahoma 93-104

Denver-Nju Jork 106-112

Orlando-Feniks 98-90

Utah-LA Leikërs 117-110

Ky publikim eshte lexuar 600 here

Fjalët kyçe