Lampard pranon: Ky është fundi me Çelsin!

Data e publiklimit: Friday, December 14th, 2012

Mesfushori i Çelsit, Frenk Lampard, ka treguar se dëshiron të vazhdojë të luajë edhe për 2-3 vitet e ardhshme, por ka shtuar gjithashtu se mendon që ky është sezoni i tij i fundit në radhët e skuadrës londineze.

Kontrata e 34 vjeçarit përfundon në këtë sezon dhe palët as që janë ulur për të diskutuar rinovimin e saj.

“Asgjë nuk është diskutuar. Bisedimet për zgjatjen e kontratës për një apo dy vite nuk ekzistojnë”, tregoi ai për gazetarët pas përfundimit të ndeshjes së skuadrës ë tij përballë Monterrei në Botërorin e Klubeve.

“Topi është në gjysmëfushën e Çelsit. Çfarëdo që të ndodhë, unë kam kaluar një periudhë të shkëlqyer te Çelsi, por gjërat ndoshta nuk zgjasin përgjithmonë. Edhe pse unë do të dëshiroja të zgjatnin përgjithmonë, duhet të jesh i pjekur sa duhet për ta kuptuar si është situata”.

Lampard, që ka fituar gjithçka me Çelsin në karrierën e tij, ka zbuluar se dëshiron që në pjesën e mbetur të karrierës të jetë një futbollist aktiv dhe jo të qëndrojë në stolin e rezervave.

“Nuk jam lloji i lojtarit që thjesht pret mbarimin e kontratës dhe ulet në stol, unë dua të jem i përfshirë. Ky është karakteri im. Do të vazhdoj ta bëj një gjë të tillë pavarësisht rrethanave. Nuk mund të parashikoj se ku do të luaj në të ardhmen, por mendoj se kam mundësi të luaj ende për 2-3 vjet në futbollin e nivelit të lartë”, tha ai, i pyetur rreth të ardhmes në një prej skuadrave të MLS, ku më e interesuar për momentin është LA Galaksi./SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 447 here

Fjalët kyçe