Liga e Kampionëve: Vëmendja në Grupin E

Data e publiklimit: Wednesday, December 5th, 2012

Gjashtë skuadra evropiane, Juventus, Galatasaray, Benfica, Chelsea, Celtic e Cluj do t’i kërkojnë të mërkurën mbrëma tri vendet e fundit boshe, që çojnë në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve. Tri të parat kanë gjasa më të mëdha, por kjo nuk do të thotë se ekipet tjera janë dorëzuar. Me këto ndeshje do të mbyllet edhe faza e grupeve për këtë edicion.

Vëmendja kryesore e të gjithë sportdashësve të mërkurën mbrëma do të jetë në Grupin E të Ligës së Kampionëve, ku e kërkojnë kualifikimin Juventusi dhe Chelsea, ndërsa një gjë të tillë e ka siguruar Shakhtar Donetsku.

Pikërisht ekipi ukrainas do ta thotë fjalën kryesore. Në rast të fitores ndaj Juventusit, më së shumti do të përfitonte kampioni aktual i Evropës, Chelsea, që do të kualifikohej në të tetën e finales.

Ekipit italian ndërkohë do t’i mjaftojë një barazim në Donbass Arena për të ecur tutje. Me këtë rast, londinezët do të përfundonin në Europa League. Grupet G dhe H do të jenë po ashtu interesante me pozitat e dyta që janë ende të lira. Me Barcelonën tashmë të kualifikuar, Benfica dhe Celticu do ta kërkojnë biletën e fundit nga Grupi G.

Të dyja skuadrat kanë nga 7 pikë, por Benfica do të ketë punë mjaft të vështirë, pasi që i nevojitet fitorja në Camp Nou ndaj Barcelonës. Në anën tjetër, skocezët duhet ta mposhtin gjithsesi Spartakun e Moskës dhe të shpresojnë në një dështim të ekipit portugez në Spanjë për të avancuar. Në Grupin H, i njëjti skenar ndodh edhe me Galatasarayn dhe Clujin, që kanë nga 7 pikë dhe e ndjekin pozitën e dytë, ndërsa e para është rezervuar tashmë nga Manchester United.

Të dyja skuadrat do të luajnë në udhëtim me ekipin rumun që do të ketë punë më të vështirë, pasi që e viziton Old Traffordin. Kurse turqit i shkojnë Bragas. Nëse të dyja ndeshjet përfundojnë me epilog të njëjtë, qoftë fitore, barazim apo humbje për këto dy ekipe, skuadra nga Stambolli do të bëhej pjesë e 16 ekipeve më të mira të Evropës.

Dhe, në Grupin F gjërat tashmë dihen vetëm se ka mbetur të shihet cili ekip do ta përfundojë këtë fazë në pozitën e parë. Favorit është Bayern Munichu, i cili luan në shtëpi me BATE Borisov, që e ka siguruar Europa Leaguen. Valencia i shkon Lilles së dorëzuar që në fillim.

Tri skuadrat që kualifikohen të mërkurën mbrëma në të tetën e finales do t’i bashkoheshin 13 ekipeve tjera që e kanë bërë një gjë të tillë më herët, si Porto, Paris St Germain, Schalke, Arsenal, Malaga, Milan, Borussia Dortmund, Real Madrid, Shakhtar Donetsk, Valencia, Bayern Munich, Barcelona e Manchester United.

Shorti do të hidhet në Nyon të Zvicrës të enjten më 20 dhjetor. Ekipet e vendit të parë do të përballen me ato të vendit të dytë të grupeve tjera dhe të vendeve tjera. Spanja do të jetë ekipi më i përfaqësuar në fazën eliminuese, me 4 ekipe, të cilat e siguruan kualifikimin më parë.

Liga e Kampionëve:

Grupi E
Shakhtar – Juventus 20:45

Chelsea – Nordsjaelland 20:45

Grupi F
Lille – Valencia 20:45

Bayern Munich – BATE 20:45

Grupi G
Barcelona – Benfica 20:45

Celtic – Spartak Moscow 20:45

Grupi H
Manchester United – Cluj 20:45

Braga – Galatasaray 20:45. /SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 399 here

Fjalët kyçe