Mesi, lojtari më i vlefshëm në botë

Data e publiklimit: Friday, December 7th, 2012

Shumëkush pyet veten: Sa vlen Lionel Mesi?! Një studim i kompanisë së specializuar braziliane “Pluri Consultoria”, duket se ka gjetur përgjigjen e kësaj pyetje, me studimin e saj, duke i vënë talentit argjentinas çmimin prej 140 milionë eurosh, me një rritje 40% në krahasim me një sezon më parë.

Ky studim ka shpallur argjentinasin si lojtarin me vlerën më të lartë në botë, pasi janë kaluar në sitë 60 kampionatet më të forta në botë, në bazën e 72 kritereve të ndryshme vlerësimi dhe 16 fushave të ndryshme si mosha, roli, eksperienca ndërkombëtare, vlera e marketingut, tituj të fituar, prania në kombëtare, etj.

Mesi, në këtë renditje është i pakapshëm, pasi rivali i tij më i madh, Kristiano Ronaldo, është shumë i shkëputur në vendin e dytë me vlerën 96.3 milionë euro, ndonëse ka pësuar një rritje 7% në krahasim me vitin e kaluar. Vendi i tretë në podium i shkon një tjetër futbollisti të Barcelonës, mesfushorit Andres Iniesta, i cili vlerësohet 68.4 milion euro, me një rritje prej 5.2% në krahasim me vitin 2011.

Më tej, në këtë listë vazhdojnë Uejn Runi, Radamel Falkao, Neimar, Serxho Aguero, Cesk Fabregas, David Silva dhe Mesut Ozil, të cilët plotësojnë 10-shen e futbollistëve më të vlefshëm në botë për momentin.

Në listën me 60 futbollistët më të vlefshëm të globit, bie në sy prania e 14 spanjollëve, që ndiqen nga 8 brazilianë, 7 gjermanë, 7 argjentinas, 3 portugezë dhe 3 italianë. Njëkohësisht, ka një dominim të theksuar të skuadrave spanjolle me Real Madrid që ka 11 lojtarë të vet në këtë listë ndërsa Barcelona ka 10 të tjerë. Vendi i tretë i takon Mançester Sitit me 6 lojtarë.

Të ndarë sipas pozicioneve, lista e 60 lojtarëve më të mirë përfshin 28 sulmues, 24 mesfushorë, 7 mbrojtës dhe vetëm 1 portier, i cili është Iker Kasijas që ka vlerën 30.2 milion euro./SportIndeks.COm

Ky publikim eshte lexuar 269 here

Fjalët kyçe