Mijëra vetë marshojnë në homazhet e vijërojtësit holandez

Data e publiklimit: Monday, December 10th, 2012

Me mijëra holandezë marshuan të dielën në heshtje në një zonë pranë Amsterdamit për të nderuar kujtimin e vijërojtësit holandez i cili mbeti i vdekur nga dhuna e ushtruar ndaj tij nga lojtarët në një ndeshje të kampionatit të moshave në Holandë.

Riçard Niuenhuizen, 41 vjeç, u sulmua nga një grup lojtarësh ndërsa gjykonte një takim të U-17. Ai u nda nga jeta pak minuta pasi ra në tokë dhe u godit me shkelma nga grupi i futbollistëve adoleshentë, të cilët ishin 15 dhe 16 vjeçarë. Vdekja e tij, e cila u pasua me arrestimin e 4 futbollistëve, dy nga të cilët janë me origjinë marokene, ka ndezur një debat kombëtar rreth dhunës në fushat e futbollit.

Kjo ngjarje u shfrytëzua menjëherë nga partia anti-myslimane e populistit Gert Uilders, i cili fajësoi për këtë vdekje, “jo një problem futbolli, por një problem maroken”.

Ndërkohë, kryeministri Mark Rute, bëri thirrje për qetësi dhe analizë, në mënyrë që të evitonte ndonjë skenë racizmi ndaj minoriteteve në vendin e tij. “Çështja thelbësore këtu është dhuna në fushën e lojës. Fatkeqësisht, ndodh shumë shpesh, pavarësisht nëse fajtorët kanë origjinë marokene apo daneze”, tha ai.

Në marshimin e të dielës ku morën pjesë rreth 12 mijë vetë, shumë prej të cilëve futbollistë të kampionateve të moshave që janë pezulluar për këtë javë, turma ecte në heshtje me qirinj në duar, e udhëhequr nga djali i Niuenhuizen.

Turma eci në shi mes lagjeve të Almere, një qytezë e vogël pranë Amsterdamit, derisa mbërriti në stadiumin në të cilin ndodhi ngjarja tragjike dhe aty zhvilloi homazhe duke vendosur lule në fushën e lojës./SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 317 here

Fjalët kyçe