Murinjo sfidon tifozët e pakënaqur

Data e publiklimit: Saturday, December 1st, 2012

Zhoze Murinjo ka vendosur të përballet me tifozët që e kanë vërshëllyer kohët e fundit në stadium, duke u hedhur atyre dorashkën e sfidës, si gjithmonë në stilin e tij të veçantë. Trajneri portugez ka deklaruar se do të hyjë i vetëm në fushën e lojës 40 minuta para fillimit të ndeshjes së Real Madrid ndaj Atletiko Madrid, në mënyrë që tifozët të kenë mundësi ta vërshëllejnë qetësisht atë, pa bezdisur skuadrën kur luan.

“Tifozët më duartrokasin apo më vërshëllejnë, por kjo është jeta në futboll. Unë do të zbres në fushë i vetëm në orën 21.20”, tha trajneri në konferencën për shtyp para derbit.

“Ata të cilët duan të vërshëllejnë, le ta bëjnë një gjë të tillë atëherë. Njerëzit që vijnë më pas, duhet të mbështetin ekipin e tyre, të mbështetin Real Madrid, në mënyrë që kjo skuadër të arrijë objektivin që është fitorja e ndeshjes”.

“Unë nuk e shoh këtë si një sfidë. Nëse ata duan të vërshëllejnë, do ta pranoj me thjeshtësi dhe qetësi gjithashtu, pasi kam shumë vite në këtë zanat. Sulmet ndaj meje janë kthyer në sportin kombëtar këtu, por unë e pranoj, pasi kështu të paktën njerëzit kënaqen. Për mua nuk përbën ndonjë problem”, ishte deklarata e Murinjos që tashmë pret të shohë a ka më mbështetjen e tifozëve apo i ka përfundimisht kundër ata./SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 145 here

Fjalët kyçe