NBA: New York sërish mposht Miamin

Data e publiklimit: Saturday, December 8th, 2012

Një përballje tjetër ndërmjet New York Knicksave e Miami Heat dhe një fitore tjetër me 20 pikë dallim për Knicksat. Por, befasi edhe më e madhe ishte fakti se New Yorku triumfoi pa yllin më të madh Carmelo Anthony.

Raymond Felton ka shënuar rekord të stinorit prej 27 pikëve, ndërsa Knicksat kanë realizuar 18 treshe për të befasuar Miamin për herë të dytë këtë stinor. Knicksat triumfuan të enjten mbrëma në Miami me rezultatin 112:92.

“Ishte kënaqësi. Gjithë ndeshja ishte kënaqësi. Të gjithë kanë kontribuuar në këtë përballje. Të gjithë kanë bërë diçka të jashtëzakonshme. Kemi luajtur një ndeshje të madhe pa superyllin tonë”, ka thënë Felton.

Steve Novak ka shënuar 18 pikë, J.R. Smith e Tyson Chandler nga 13, ndërsa New Yorku ka fituar sfidën e pestë rresht dhe është përforcuar në krye të Konferencës Lindore. New Yorku ka 14 fitore e katër humbje, ndërsa Miami tash ka 12 fitore e pesë humbje, shkruan agjencia e lajmeve AP.

“Në mungesë të lojtarit kyç, të tjerët kanë shfrytëzuar rastin duke treguar veten. Mendoj se ka qenë një përballje vërtet ekipore. Mbrojtja jonë ishte solide, ndërsa në sulm ishim fenomenalë”, ka thënë trajneri i Knicksave, Mike Woodson.

LeBron James gati sa nuk realizoi “triple-doublen” e dytë rresht, duke shënuar 31 pikë, 10 kërcime e nëntë asistime. Për Miamin ishte humbja e dytë rresht, pasi që të martën u mposht nga Washingtoni. Dwyane Wade me 13 pikë, Chris Bosh me 12 dhe Udonis Haslem me 10, kanë shënuar po ashtu pikë dyshifrore te Miami.

“Ne do të mbesim të bashkuar. Ne do të zgjidhim këtë. Do të dalim nga kjo situatë”, ka thënë trajneri i Miamit, Erik Spoelstra./SportIndeks.Com

Miami – New York 92:112
(James 31 – Felton 27)

Phoenix – Dallas 94:97
(Dragiq 15 – Mayo 23)

Ky publikim eshte lexuar 518 here

Fjalët kyçe