Ndizet derbi i Milanos për Mario Balotelin

Data e publiklimit: Wednesday, December 5th, 2012

Mario Baloteli po kthehet në personazhin kryesor të merkatos së futbollistëve në Itali, për shkak të admirimit të hapur që kanë shprehur për të si Milani, ashtu edhe Interi. Lojtari që pritet të largohet nga Mançester Siti ku nuk gjen më hapësira dhe shkakton shpesh probleme, duket se po i afrohet kthimit në Itali, ku admiruesit e tij kanë folur hapur.

Të martën në darkë, presidenti i Milanit, Silvio Berluskoni, bëri të qartë se blerja e mundshme e Balotelit nuk është një utopi për klubin që drejton. “Baloteli nuk është një ëndërr. E them këtë pasi unë nuk ëndërroj kurrë”, tha ai, duke lënë të kuptohet se ideja e afrimit të sulmuesit konkretizohet sa më shumë që afron merkato e janarit.

I të njëjtës linjë ka qenë edhe Masimiliano Alegri, pasi trajneri i kuqezinjve nuk ka ngurruar t’i thurë elozhe sulmuesit italian, duke i kujtuar atij se thjesht po humb kohë në Angli.

“Ai është një lojtar i rëndësishëm me aftësi të jashtëzakonshme fizike dhe teknike. Por mendoj se pavarësisht cilësive, ka hedhur tutje dy vite karrierë”, tha ai duke iu referuar faktit se te Mançester Siti është kthyer në një rezervë.

Menjëherë ka ardhur një reagim nga ana zikaltër e Milanos, pasi presidenti i Interit, u ka kujtuar kushërinjve se jo rastësisht ka vendosur një klauzolë në kontratën e shitjes së Balotelit kur lejoi transferimin e tij te Mançester Siti.

“Ekziston një klauzolë që detyron Mançester Sitin të na lajmërojë në rast se merr një ofertë, në mënyrë që të na lejojë ta barazojmë atë dhe të marrim ne lojtarin. Kjo duhet të vlejë edhe në hipotezën e një huazimi të mundshëm”, sqaroi ai, duke i mbyllur praktikisht dyer Milanit dhe duke vendosur Interin në pozicionin më të favorshëm për të rimarrë sulmuesin italian. /SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 384 here

Fjalët kyçe