Neimar fton Rikelme te Santos

Data e publiklimit: Friday, December 7th, 2012

Ylli brazilian Neimar, po mundohet në të gjitha mënyrat të afrojë te skuadra e Santos mesfushorin argjentinas Rikelme, duke shpresuar se ish-organizatori i Boka Juniors do të bëhet pjesë e ekipit brazilian në vitin e ardhshëm.

“Do të ishte fantastike të luaja bashkë me të. Rikelme është një lojtar i madh, një organizator brilant. Ai është një tip lojtari që çdo sulmues do të dëshironte të kishte në skuadër”, ishte ftesa që Neimar i bëri argjentinasit.

Ky i fundit, ka pranuar se është në bisedime me klube të ndryshme braziliane, por nuk është i sigurt nëse transferimi do të realizohet në të ardhmen, pasi nuk ka vendosur ende se çfarë do të bëjë.

“Drejtuesit e Santos më telefonuan, pro nuk ka asgjë më shumë se kaq për momentin. Më duhet të pres dhe të shoh nëse ndonjë klub ka interes real për shërbimet e mia”.

“Kam folur shumë me Huan Pablo Sorin, i cili njeh shumë njerëz te skuadra e Flamengo dhe u mundua të më bindë të luaj atje. Por presidenti i Boka Juniors, nuk pranoi të firmoste letrat e transferimit në atë periudhë dhe ky transferim nuk u realizua”, tregoi Rikelme për mundësin që kishte patur për t’iu bashkuar skuadrave braziliane në korrik të këtij viti.

“Futbolli brazilian ka pësuar rritje të madhe dhe tani të gjitha skuadrat kanë lojtarë të rëndësishëm. Në korrik është e vërtetë që isha në bisedime me Flamengo, Gremio dhe Kruzeiro”, zbuloi ai. /SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 455 here

Fjalët kyçe