Një shkallë më lart

Data e publiklimit: Monday, December 3rd, 2012

Hendbolli kosovar ka shkuar një shkallë më lart në paraqitjen e tij në Evropë këtë edicion. Kështu vlerësojnë njohësit e hendbollit në vend, sipas të cilëve skuadrat prishtinase e zbutën sadopak dështimin e ekipeve tjera. Sipas tyre, në këtë sport duhet të punohet shumë dhe nevojiten kushte më të mira për të arritur rezultate më të favorshme në garat evropiane.

Njohësit e hendbollit kosovar mendojnë se ky sport ka shkuar për një shkallë më lart në nivelin evropian. Kualifikimi në rrethin e tretë të kupës EHF nga ekipet prishtinase në të dyja konkurrencat e zbuti sadopak dështimin e ekipeve tjera kosovare, Besa Famiglia dhe Kastrioti.

Mirëpo, ata insistojnë se në këtë sport duhet punuar shumë më tepër dhe nevojiten kushte më të favorshme, nëse duam që hendbolli kosovar të shkojë më larg në garat evropiane. Trajneri Ismet Jupa thotë se kualifikimi i Prishtinës në rrethin e tretë të Kupës EHF megjithatë nuk nënkupton se hendbolli kosovar ka ecur përpara. Ai shton se hendbolli kosovar duhet të ndryshojë në rrënjë.

“Ta them të drejtën, në krahasim me vitet e kaluara, skuadrat kosovare e kanë bërë një kërcim. Por, kjo nuk është e mjaftueshme në krahasim me vendet tjera. Ekipet tona nuk munden ta bëjnë një hap më të madh, derisa nuk bëhet diçka në aspektin e përgjithshëm me klubet dhe federatat”, deklaroi Jupa.

“Ato duhet të regjistrohen pranë Ministrisë së Sportit, të bëhen organizata sportive, e jo si tash që janë organizata joqeveritare. Me këtë të fundit vështirë që bëhet një gjë e mirë dhe pozitive. Nuk janë fajtorë vetëm ekipet, sepse shteti duhet ta marrë këtë punë përsipër. Duhet të flitet në Kuvend për këtë punë, duhet të financohet nga shteti ky sport, gjërat nisen nga baza edhe shkojnë edhe më mirë. Forma aktuale është sot për nesër”, vazhdoi ai.

Ndërkohë, trajneri Osman Demolli vlerëson se edhe këtë vit paraqitja e ekipeve kosovare ishte dizastër, hiq Prishtinën, e cila shkoi paksa më larg. Ai këshillon që të punohet në stilin evropian për të pasur sukses në garat ndërkombëtare.

“Prej krejt ekipeve kosovare që kanë luajtur në ligat evropiane, Prishtina është ekip më i ri dhe më me perspektivë. Prishtina ka mundur të shkojë edhe më larg, por nuk funksionoi si duhet. Suksesi i tyre është shumë i madh, kanë lojtar të rinj, nuk është keq. Ekipet tjera në përgjithësi ishin dështim, jemi larg. Kushtet e bëjnë të veten, nuk mund të shkojnë më larg. Prishtina është një shkallë më lart se këto tjerat, që ishin dështim i madh. Për të shkuar në Evropë duhet të punojmë në Evropë”, tha Demolli.

Skuadra e Prishtinës i ka dhënë fund aventurës në garat evropiane të shtunën, pasi pësoi humbje nga ekipi i HB Esch me rezultat 31:22 në ndeshjen e dytë të zhvilluar në Luksemburg, në kuadër të rrethit të tretë të Challenge Cup. Ekipit prishtinas nuk i ka mjaftuar fitorja në ndeshjen e parë, e arritur javën e kaluar në kryeqytetin kosovar me epërsi prej katër golave 28:24.

Përveç hendbollistëve nga Prishtina, më herët nga garat ndërkombëtare janë eliminuar edhe tri skuadra. Djelmoshat e Besa Famiglias u eliminuan në xhiron e parë të EHF Cup nga Borci i Banjallukës, pas humbjes së dyfishtë me rezultat 22:31 e 22:32.

Ndërsa vashat e Prishtinës janë eliminuar në rrethin e tretë të EHF Cup nga ekipi slloven GEN-I Zagorje, po ashtu me humbje të dyfishtë: 22:43 e 18:26. Prishtinaset kishin kaluar në rrethin e tretë pasi e kishin eliminuar ekipin grek, GAS Megas Alexandros Giannitson.

Kurse, vajzat e Kastriotit në rrethin e dytë të Challenge Cup janë eliminuar nga ekipi serb ZRK-Maks-Sport-Nova Pazova. Ato u mundën në ndeshjen e parë 16:31, kurse në atë të dytë humbën 20:25./SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 1173 here

Fjalët kyçe