Panathaniakos nuk ka para për të paguar dritat!

Data e publiklimit: Thursday, November 29th, 2012

Kriza ekonomike në Greqi vazhdon të godasë rëndë futbollin në këtë vend dhe vuajtjeve të klubeve amatore apo atyre të vogla, tani i janë shtuar edhe ato të klubeve më të njohura. Protagonisti i fundit është Panathinaikos, që nuk është në gjendje të paguajë faturën e ndriçimit artificial për stadiumin “Olimpik” të Athinës që merr me qera për ndeshjet e tij dhe si rrjedhojë, mund të detyrohet të luajë vetëm ditën.

Në një letër të hapur ndaj Superligës Greke, Federatës Greke të Futbollit dhe transmetuesit televiziv “Nova”, shefi i bordit që menaxhon stadiumin shtetëror me kapacitet 69618 vende, Peter Galaktopulos, tha se klubi nuk ka plotësuar as minimumin e detyrimeve financiare.

Ai sugjeroi që klubi të luajë ndeshjet e mbetura në këtë sezon gjatë orëve të paradites, kur ka ndriçim natyral, në këtë mënyrë nuk do t’i vihet në faturë shpenzimi për ndriçimin artificial.

Por ky propozim nuk do të pranohet pasi rrjeti televiziv që transmeton ndeshjet e kampionatit grek, ka vënë thuajse të gjitha ndeshjet e Panathinaikos në orët e darkës, duke njohur interesimin e tifozëve për rezultatet e kësaj skuadre që ka famë edhe në arenën ndërkombëtare.

Por një lëvizje e tillë mund të detyrojë drejtuesit e stadiumit “Olimpik” të mbyllin dyert për Panathinaikos, nëse ky klub nuk paguan detyrimet që ka.

Ekipi i Athinës po mendon të kthehet përsëri në stadiumin e vjetër “Apostolos Nikolaidis” gjatë vitit të ardhshëm, ku të paktën do të heqë shpenzimin e qerasë dhe do të mund të paguajë për elektricitetin./SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 249 here

Fjalët kyçe