Partizani (nuk) e uroi Vokrrin

Data e publiklimit: Monday, December 24th, 2012

Fadil Vokrri e ka ngjallur një debat në Serbi. Kryetari i Federatës kosovare ka thënë se shumë ish bashkëlojtarë të tij nga Partizani i Beogradit e kishin uruar, kur FIFA i lejoi kosovarët të luajnë ndeshje miqësore ndërkombëtare. Por, kjo është mohuar nga klubi serb. Zyrtarë të Partizanit kanë thënë se qëndrimi i tyre karshi çështjes së Kosovës është i njëjtë me atë të Federatës serbe.

Një intervistë e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrrit, që ia ka dhënë gazetës kroate ‘Sport Max’, ka ngjallur debate në mediet serbe.

Kjo pasi ish futbollisti i famshëm i Partizanit të Beogradit i ka thënë gazetës kroate se kur FIFA vendosi t’i lejojë klubet e Kosovës, përfaqësueset e shpresave dhe femrat të zhvillojnë ndeshje miqësore ndërkombëtare, është uruar nga shumë zyrtarë të futbollit në Serbi, me të cilët vazhdon të ketë raporte të mira që prej kohës kur luajti në skuadrën e njohur të vendit fqinj.

“Shumë shokë të mi, ish bashkëlojtarë të Partizanit dhe legjenda të shumta të futbollit serb, më uruan për vendimin e FIFA-s. Por, ata më lusnin që mos t’i tregoj emrat e tyre që më uronin nga frika se dikush në Serbi mund të fillojnë antifushatë ndaj tyre”, kishte deklaruar Vokrri, që u citua shumë nga mediet serbe.

Me këtë rast, i menjëhershëm ka qenë reagimi i klubit serb. Zëdhënësi i Partizanit të Beogradit, Nenad Daniloviç, ka thënë për ‘Tanjugun’ serb se asnjë zyrtar i klubit bardh e zi nuk e ka uruar Vokrrin.

Sipas tij, Partizani i Beogradit ndjek politikën e njëjtë të Federatës së Futbollit të Serbisë (FSS) karshi Kosovës.

“Asnjë nga udhëheqësit e Partizanit nuk e ka përgëzuar Fadil Vokrrin, siç ka thënë ai për gazetën kroate. Klubi ynë i mbështet dhe i zbaton në përpikëri vendimet dhe politikat e FSS-së. Siç dihet, në Serbi të gjithë jemi unik karshi çështjes së Kosovës, andaj nuk është e vërtet që dikush nga ne ta ketë uruar Vokrrin”, ka thënë Daniloviç./SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 500 here

Fjalët kyçe