Pendohet Xhaka

Data e publiklimit: Friday, November 30th, 2012

Granit Xhaka është bërë pishman për deklaratat e dhëna së fundmi. Futbollisti kosovar e kishte shprehur pakënaqësinë te Borussia Monchengladbach dhe nuk e kishte përjashtuar mundësinë e largimit në janar, në drejtim të Lazios. Mirëpo, 20-vjeçari e pranon se ka gabuar dhe premton se do të përkushtohet 100 për qind, për ta ndihmuar ekipin gjerman, duke siguruar se nuk do të largohet nga Gladbachu deri në fund të kontratës, më 2017.

Granit Xhaka është penduar për deklaratat që kishte dhënë kohë më parë, duke e shprehur pakënaqësinë e rolit të rezervistit në Borussia Monchengladbach dhe për faktin se mund të transferohet në Lazio gjatë janarit.

Po ashtu, futbollisti kosovar kishte deklaruar se nuk është mësuar të luajë në një ekip i cili mundohet të mos e humbë ndeshjen, por në ekip që e kërkon gjithmonë fitoren, duke iu referuar Baselit, prej nga iu bashkua ekipit nga Bundesliga gjatë verës së këtij viti.

“E di se kam bërë gjëra të gabuara. Kam thënë gjëra që nuk është dashur të thuhen. Kjo nuk është një gjë e mirë, tash e kam kuptuar”, ka thënë përfaqësuesi zviceran në një intervistë për ‘Rheinischen Post’.

Në nëntë ndeshjet e fundit, futbollisti i cili i kushtoi Gladbachut 9 milionë euro, nuk ka qenë në ekipin e parë. “Kur kam ardhur këtu, prisja shumë nga ekipi, sigurisht edhe nga vetja. Në javët e fundit kam pasur një eksperiencë të cilën nuk e kisha në të kaluarën. Gjatë dy vjetëve në Basel kisha vetëm ngritje. Por, kjo më ka bërë mirë pasi që më duhet ta ndryshoj qasjen. Kjo eksperiencë do më bëjë më të fortë mentalisht dhe si lojtar”, vazhdoi Xhaka.

Ai tregon se rol të rëndësishëm ka luajtur vëllai i tij i madh, Taulanti, i cili i ka thënë që të mos mendojë në mënyrë negative dhe t’ia bëjë një ‘formatim’ kokës, duke menduar pozitivisht në çdo seancë stërvitore.

“Ndihem i nderuar se Borussia ka paguar aq shumë para për mua. Do të mundohem t’ia shpaguaj klubit këtë me paraqitje të mira. Kam nënshkruar kontratë me këtë ekip deri në vitin 2017 dhe dua të qëndroj këtu”, vijoi 20-vjeçari, i cili nuk e ka as mendimin minimal që ta ndërrojë ambientin.

“Jo, nuk mendoj të largohem, sepse kam kontratë dhe jam i lumtur që bëj pjesë në këtë ekip. Do të mundohem ta rikthej vendin e titullarit sa më shpejt”, shtoi ai. Xhaka e pranon e ka pasur presion të madh në Gjermani, për dallim prej Baselit, ku ka qenë gjithmonë i relaksuar.

Ky publikim eshte lexuar 422 here