Prapë na i dogjën

Data e publiklimit: Monday, December 3rd, 2012

Tifozë serbë, por edhe ata maqedonas, sërish kanë shprehur mllef ndaj shqiptarëve. Derisa në Shkup një grup i tifozësh maqedonas i fyen rëndë shqiptarët, edhe më keq kanë vepruar serbët në Nish. Ata i kanë djeg flamujt e dy shteteve shqiptare, atë të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Deklaratat e liderëve politikë të Shqipërisë, Kosovës dhe të shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët folën goxha shumë për bashkim kombëtar gjatë festës së 100 vjetorit të shtetbërjes së Shqipërisë, por edhe lirimi i Ramush Haradinajt dhe dy shokëve të tij nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, duket se u kanë rënë ‘kresë’ huliganëve serbë dhe atyre maqedonas.

Kjo pasi tifozët serbë, por edhe ata maqedonas, përveç që i kanë fyer shqiptarët, edhe i kanë djegur flamujt e dy shteteve të tyre – atë të Shqipërisë dhe të Kosovës. Në fakt, tifozët e skuadrës serbe Rad ia kanë vënë zjarrin flamurit të Shqipërisë dhe atij të shtetit të Kosovës. Ky akt ka ndodhur të shtunën me të filluar pjesa e dytë e ndeshjes kampionale serbe mes Rad nga Nishi dhe Rabotniçkit.

Huliganët serbë, të pakënaqur me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për lirimin e Ramush Haradinajt dhe dy shokëve të tij, i kanë djegur flamujt e dy vendeve shqiptare, e po ashtu kanë brohoritur ‘Thika, Teli, Srebrenica’. Tifozët serbë njëjtë kishin vepruar edhe para pak javësh kur e njëjta gjykatë ndërkombëtare i kishte liruar gjeneralët kroatë, me ç’rast në Serbi u dogj flamuri kroat dhe ai i Bashkimit Evropian.

Por, tifozët serbë nuk ishin të vetmit që shprehën mllef ndaj shqiptarëve. Hiq më lehtë nuk e kanë lënë pa vepruar edhe një grup tifozësh maqedonas në Shkup. Disa tifozë të skuadrës Gjorçe Petrov, të cilët po ktheheshin me autobus nga një ndeshje futbolli, i kanë fyer rëndë shqiptarët në një stacion të autobusëve në Bit Pazarit, raportojnë mediat shqiptare në Maqedoni.

Nga autobusi ata i kanë ofenduar shqiptarët, duke i fyer me babë e nënë e njëherësh ua kanë fyer flamurin, kombin dhe fenë. Shqiptarët menjëherë kanë nis të reagojnë, por polica ka ndërhyrë, duke i shoqëruar tifozët drejt stacionit policor, ku edhe janë marrë në pyetje.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka pohuar se po punon për zbardhjen e plotë të këtij rasti. Kjo nuk është hera e parë që tifozët serbë dhe ata maqedonas sillen në këtë mënyrë ndaj shqiptarëve. Ata edhe në të kaluarën disa herë kanë djegur flamuj të Kosovës e të Shqipërisë, e fyerjet e tyre ndaj shqiptarëve kanë qenë ndër më të rëndat./SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 399 here

Fjalët kyçe