Rikthimi i Schumacherit ishte një gabim

Data e publiklimit: Saturday, December 8th, 2012

Shefi i Formula 1, Bernie Ecclestone tha se Michael Schumacher nuk është dashur të rikthehet në asnjë mënyrë në F1 pas pensionimit në vitin 2006.

Schumacher para se të pensionohej kishte fituar shtatë tituj të kampionit, por në vitin 2010 vendosi të rikthehet në Formula 1. Ai garoi me bolidin e skuderisë së Mercedesit dhe arriti të përfundojë vetëm një herë në podium gjatë tre vjetëve.

“Njerëzit që janë kyçur kohët e fundit në Formula 1 apo janë bërë tifozë të këtij sporti, Schumacherin do ta mbajnë në mend për këta tre vjet të dështuar. Ata nuk do ta dinë se kush ishte Schumacher para se të rikthehet”, ka thënë Ecclestone. “Ata tash nuk e shohin si një hero që ishte, por si një njeri që dështoi plotësisht.

Ai është dashur të mos garojë fare pas shtatë titujve të fituar”, shtoi Ecclestone për BBC, transmeton KD.

Schumacher në vitin 2010 u rikthye në moshën 41-vjeçare, pas insistimit të Ross Brawn te Mercedesi, me të cilin kishte punuar edhe te Benettoni e Ferrari.

Bashkëkombësi i Schumacherit, Sebastian Vettel këtë edicion fitoi titullin e tretë rresht në Formula 1. Sipas Ecclestones, vështirë se Vettel do ta arrijë rekordin e vendosur nga Schumacheri, me shtatë tituj të kampionit.

“Nuk është lehtë të fitohen shtatë tituj. Vettel nuk është as në gjysmë të rrugës”, tha Ecclestone. /SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 609 here

Fjalët kyçe