Runi, krenar që kaloi Bobi Çarlton

Data e publiklimit: Tuesday, December 11th, 2012

Sulmuesi i Mançester Junajtid, Uejn Runi, ka shprehur krenarinë e tij që ka arritur të thyejë një shifër të vendosur nga Sër Bobi Çarlton përsa i përket golave të shënuar në derbi kundër Mançester Sitit. Me dy golat e shënuar të dielën, Runi çoi në 10 numrin e golave të realizuar në ndeshjen ndaj rivalëve historikë të qytetit.

Në këtë mënyrë, sulmuesi arriti të kalonte me një gol Çarlton, duke vendosur rekordin e golave për Mançester Junajtid, ndërsa ka barazuar legjendat e Mançester Sitit, Frensis Li dhe Xho Heis që kanë shënuar nga 10 gola secili në derbi. Sulmuesi gjithashtu u bë futbollisti i 6-të që arrin të kalojë kuotën e 150 golave në kampionatin anglez, duke ndjekur gjurmët e Alan Shirer, Endi Kol, Robi Fauler, Tierri Henri dhe Frenk Lampard.

“Nuk e dija që jam golashënuesi më i mirë në derbi në historinë e Mançester Junajtid por kjo arritje më bën krenar. Është një ndjesi e jashtëzakonshme të shënosh kundër Sitit. Ka shumë pasion dhe krenari në Mançester për këto lloj ndeshjesh dhe ka qenë diçka e jashtëzakonshme për mua të shënoj kaq shumë herë në sfida të tilla”, tha Runi, i cili ka treguar se është shumë i lumtur që Robin Van Persi shënoi në minutat shtesë dhe se në ato momente kishte biseduar me holandezin vetëm për llojin e gjuajtjes dhe jo se kush do të ekzekutonte goditjen e dënimit.

“Unë praktikoj goditjet e dënimit në pjesën më të madhe të ditëve me Van Persi, Jang dhe Gigs. Para se të gjuante, unë iu afrova dhe e pyeta nëse do të krosonte apo gjuante, që të vija çfarë veprimi të bëja. Ai më tha se do të gjuante dhe fatmirësisht topi përfundoi në rrjetë”, u shpreh sulmuesi i Junajtid./SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 416 here

Fjalët kyçe