S’duan kushte

Data e publiklimit: Wednesday, December 12th, 2012

Në këtë fundjavë pritet që FIFA përfundimisht t’i zgjedhë modalitetet rreth zhvillimit të ndeshjeve miqësore për përfaqësuesen e Kosovës. Mirëpo, ç’farë modalitetesh do të përzgjidhen tash për tash askush nuk e di. Udhëheqësit e futbollit në vend shpresojnë që Sepp Blatter me kolegët e tij mos ta kushtëzojnë reprezentacionin kosovar që ndeshjet t’i luajë jashtë vendit apo pa simbole shtetërore.

Drejtuesit e futbollit kosovar, futbollistët dhe shumë dashamirë të këtij sporti janë me mend në Tokio, ku me 14 dhe 15 dhjetor FIFA do të vendosë për Kosovën se kur dhe si do t’i luajë ndeshjet miqësore.

Qysh në maj FIFA pati konfirmuar se vendimi i saj për ta lejuar përfaqësuesen e Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare nuk do të anulohet, pavarësisht kundërshtimeve të ashpra të Serbisë dhe UEFA-s.

Por, presidenti i shtëpisë së futbollit botëror, Sepp Blatter, ka pohuar se, pas dy shtyrjeve, të premten dhe të shtunën në Tokio të Japonisë Komitetit Ekzekutiv i FIFA-s përfundimisht do të vendosë për modalitetet e implementimit të atij vendimi.

Por, pritet që FIFA t’ia qesë disa kushte Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) se në çfarë mënyre t’ia organizojë ndeshjet reprezentacionit kosovar. Mirëpo, ç’farë kushtesh pritet t’i qiten FFK-së nga ana e FIFA-s tash për tash vetëm Zoti e di.

Në fakt, qysh më moti janë përmendur disa lloj kushtesh të cilat FIFA shumë lehtë do të mund t’ia qiste përpara FFK-së. Madje, disa nga ato kushte eventuale do të ishin shumë të disfavorshme për kosovarët, saqë edhe mund t’ua humbin rëndësinë e zhvillimit të ndeshjeve të ardhshme miqësore të ekipit, që udhëhiqet nga selektori Albert Bunjaku.

Kushte të tilla aspak të mira për vendin tonë mund të ishin ato që janë përmendur goxha shumë deri më tash në vendin tonë, si për shembull: përfaqësuesja e kosovare ndeshjet mos t’i zhvillojë brenda territorit të Kosovës, apo ato ndeshje t’i luajë pa simbole shtetërore.

Një kusht tjetër i mundshëm që përmendej ishte ai që FIFA mos t’i vlerësonte fare nëpërmjet ranglistës që e publikon çdo muaj rezultatet e ekipit kosovar e as të kundërshtarëve të saj, me ç’rast FFK-së do t’i vështirësoheshin mundësitë për të gjetur ekipe kundërshtare.

Në FFK thonë se këto kushte të mundshme i kanë dëgjuar vetëm nëpër medie, derisa luten që ato mos t’ia qetë përpara FIFA. Madje, udhëheqësit e futbollit kosovar thonë se asnjëherë nuk kanë folur me krerët e FIFA-s rreth këtyre modaliteteve.

“Modalitet kanë hyrë në kombinim pasi FIFA na ka lejuar të luajmë miqësore, respektivisht pas reagimit serb. Ndërsa, ne vazhdimisht jemi munduar t’i injorojmë ato”, thotë sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.

“Në asnjë takim apo bisedë që e kemi pasur me Sepp Blatterin apo zyrtarë të tjerë të FIFA-s ne nuk kemi folur për modalitete. Qëndrimi ynë, posaçërisht i kryetarit Fadil Vokrri, ka qenë i prerë: të na lejohet të luajmë pa kurrfarë kushti me të gjitha grupmoshat, pa diskriminime dhe pa kësi gjëra”, shtoi ai.

Salihu me sinqeritet thotë se nuk ka lidhje se çfarë modalitete do të mund t’i qetë FIFA gjatë kësaj fundjave FFK-së.

“Ne nuk kemi dashur asnjëherë të flasim për ato modalitete, andaj sinqerisht nuk e dimë se ç’farë do të mund të jenë. Propozoj që ta presim në qetësi përfundimin e mbledhjes së Komiteti Ekzekutiv dhe më pas do të dihen gjërat. Shpresojmë në një vendim sa më të favorshëm për ne”, theksoi Salihu, duke shprehur bindjen e tij se kësaj here FIFA do ta kryejë përfundimisht këtë çështje, pas një zvarritje të madhe.

Kjo kërkesë e FFK-së tash e disa vjet sillet herë në UEFA e herë në FIFA. Kjo e fundit e aprovoi në maj, por nuk e fuqizoi shkaku i reagimit të ashpër serb. Vendosi që fuqizimin e saj ta bëjë më vonë, por sërish e shtyu dy herë, derisa Blatter ka premtuar se në dhjetor do të kryhet kjo punë./SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 378 here

Fjalët kyçe