(S’)Flasin për Kosovën

Data e publiklimit: Thursday, December 6th, 2012

Të mërkurën përfundoi mbledhja dyditore e Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), por ende nuk dihet nëse ky organ ka diskutuar apo jo edhe për sportin kosovar. Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, beson se Pere Miro nuk e ka lënë pa raportuar në këtë mbledhje rreth inspektimit që ia bëri para pak javësh vendit tonë.

Të mërkurën ka përfunduar mbledhja dyditore e anëtarëve të Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), e cila është mbajtur në Lozanë të Zvicrës.

Mirëpo, ende nuk dihet se a është diskutuar apo jo rreth Kosovës në këtë organ të organizatës më të madhe sportive në glob.

Siç dihet, kohë më parë ishte paralajmëruar se Bordi Ekzekutiv i IOC-së kësaj radhe do të diskutoj për sportin kosovar, ngase para disa javësh Kosova ishte vizituar nga një delegacion i IOC-së, i drejtuar nga drejtori për marrëdhënie me komitete olimpike të vendeve anëtare të tij, Pere Miro dhe zëvendësi i tij, Jerome Poivey.

Ata kishin ardhur në Prishtinë me qëllim që ta inspektonin sportin kosovar për t’i raportuar më pas Bordit Ekzekutiv të IOC-së.

Njëherësh, gjatë asaj jave vendi ynë ishte vizituar edhe nga presidenti i AIBA-s, Ching Kuo Wu, i cili njëkohësisht është edhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të IOC-së. Edhe tajvanezi u pat premtuar kosovarëve se do ta luajë rolin e avokatit të Kosovës në këtë organizatë.

Megjithatë, ende nuk dihet se a është çel apo jo muhabeti rreth Kosovës në këtë mbledhje të Bordit Ekzekutiv të IOC-së nga ndonjëri prej këtyre tre njerëzve, që pak më herët e vizituan Kosovën.

Në raportet e nxjerra nga kjo mbledhje e Bordit Ekzekutiv të IOC-së, të publikuara në ueb faqen zyrtare të kësaj organizate, Kosova nuk përmendet askund.

Por, pavarësisht kësaj, kreu i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, është i bindur se kjo mbledhje nuk ka kaluar pa u marrë sadopak edhe me sportin kosovar.

“Ende nuk e kam asnjë informacion zyrtar nga kjo mbledhje. Por, sigurisht se aty është diskutuar për Kosovën. Në kontaktin tim të fundit me Pere Miro, ai më konfirmoi se do të raportojë në Bordin Ekzekutiv të IOC-së rreth të gjeturave të tij në Kosovë, të cilën e vizitoi”, tha Hasani.

“Por, kjo nuk do të thotë që është marrë ndonjë vendim. Sigurisht se ata do të thonë se duhet pritur edhe pak progres tjetër sa ta bëjë Kosova, posaçërisht në aspektin politik, që ka të bëjë me shtimin e numrit të njohjeve që duhet ta arrijë vendi ynë”, shtoi ai.

Pere Miro dhe zëvendësi i tij, Jerome Poivey patën ardhur në Kosovë kah fundi i nëntorit me leje të presidentit të IOC-së, Jacques Rogge. Miro pati pohuar se më 4 e 5 dhjetor do t’i raportojë Bordit Ekzekutiv të IOC-së rreth gjendjes në të cilën gjendet sporti dhe shoqëria kosovare. Madje, ai pati shprehur habi me të arriturat e Kosovës në sport, duke premtuar ndihmën e tij në rrugën drejt ndërkombëtarizimit./SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 403 here