Shefi i Dortmundit kritikon klubet angleze

Data e publiklimit: Monday, December 3rd, 2012

Shefi Ekzekutiv i Borusia Dortmund, Hans-Joakim Uatzke, ka akuzuar klubet angleze me pronësi të huaj se i kanë dhënë prioritet biznesit para futbollit. Rregulloret në Gjermani përcaktojnë se të paktën 50% e klubit duhet të jetë në pronësi të anëtarëve të tij, duke patur mbështetjen e një vote të një kompanie vendase, kësisoj duke evituar mundësinë e blerjes nga të huaj.

Bajer Leverkusen, Volfsburg dhe Hofenhaim janë të vetmet përjashtime nga modeli “50+1”, për shkak të lidhjeve të gjata kohore që kanë me pronarët e tyre aktualë, por ky ligj u vu në diskutim nga presidenti i Hanoiverit, Martin Kind, i cili kërkon që të ndryshohet.

“Ai është kundërshtari më i madh i këtij ligji. Por gjermanët duan të kenë sensin e përkatësisë. Kur t’i jep tifozëve ndjesinë që ata janë thjesht klientët e tu, atëherë ke humbur. Në Gjermani, ne duam që të gjithë të ndjejnë se klubi u përket atyre dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme”, shpjegoi ai për “The Guardian”.

25 mijë tifozë të Borusia Dortmund, të cilët janë anëtarë të tij, paguajnë vetëm 190 euro për një abone sezonale dhe Uatzke mendon se kjo është jetësore për ta bërë klubin sa më funksional.

“Mendoj se më parë në Angli, marrëdhënia mes tifozëve dhe klubit ishte shumë e fortë. Te ne njerëzit vijnë në stadium sikur po shkojnë për vizitë në familje. Këtu, tifozët thonë është i yni, është klubi im. Kjo është mënyra jonë për të patur bileta më të lira, në mënyrë që të vijnë edhe më të rinjtë. Ne do të fitonim 5 milion euro më shumë në sezon nëse do të vendosnim ndenjëse, por kjo çështje nuk diskutohet asnjëherë, pasi kjo është kultura jonë”.

“Në Angli, gjithçka është më e kushtueshme. Futbolli është më shumë biznes. Të gjithë më thonë se nuk mund të luash në Ligën e Kampioneve ndaj një klubi si Mançester Siti, pasi ata kanë më shumë para. Por ne po mundohemi t’ia dalim vetë, në mënyrën tonë. Çelsi ka fituar Ligën e Kampioneve, por çfarë do të ndodhë pas Roman Abramoviç?”, ishte komenti i Uatzke, skuadra e të cilit në dy vitet e fundit jo vetëm ka fituar dy herë titullin kampion në Gjermani, por edhe ka dalë me bilanc pozitiv në fund të çdo sezoni./SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 301 here

Fjalët kyçe