Skitarët kërkojnë sukses në Slloveni

Data e publiklimit: Friday, December 14th, 2012

Reprezentacioni i Kosovës do të marrë pjesë në garën ndërkombëtare, që do të mbahet në qendrën e njohur skitare Kranjska Gora në Slloveni, me ftesë të Federatës Botërore të Skijimit (FIS) dhe Federatës Skitare të Sllovenisë.

Ky eveniment do të mbahet prej 17 deri më 21 dhjetor dhe garat zhvillohen në dy ditë sllallome në konkurrencën e meshkujve dhe të femrave të kategorive të vjetra. Kosovarët do të paraqiten sipas kritereve të FIS-it me 4 garues: Albin Tahiri, Dardan Pupovci, Art Gojani e Eordejt Pupovci dhe 2 garuese: Dorina Mema e Rita Idrizi.

Garuesit kosovarë do të përpiqen të fitojnë pikë të FIS-it për t’u renditur sa më lartë në rangun botëror, që është me rëndësi të madhe për sezonin 2013. Në këto gara konkurrenca do të jetë shumë e fortë, pasi që aty marrin pjesë garues cilësorë të shumë vendeve të botës.

“Shpresojmë që Reprezentacioni i Kosovës do të plasohet sa më mirë që është e mundur e sidomos ne presim shumë nga Albin Tahiri, i cili është me përvojë më të madhe të garave në arenën ndërkombëtare”, thotë kryetari i Federatës Skitare të Kosovës, Hajrush Demaj. Gjatë qëndrimit në Slloveni, kosovarët do të kenë një ditë stërvitje dhe dy ditë gara. Ekspedita kosovare do të niset për në Slloveni më 17 dhjetor./SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 768 here

Fjalët kyçe