Surfisti që e emocionoi botën

Data e publiklimit: Friday, December 14th, 2012

Derek Rabelo e ka emocionuar botën me vullnetin dhe përkushtimin e tij për sportin e surfit. Edhe pse i verbër, 19 vjeçari e gjeti forcën dhe i mposhti të gjitha vështirësitë, duke u marrë me këtë sport ujor. Braziliani thotë se mundohet ta imagjinojë se çka ndodh përreth tij, ndërsa shokët tregojnë se më parë e ka praktikuar edhe futbollin, notin, çiklizmin dhe skatebordin.

Është 19 vjeç, brazilian dhe i verbër. Mirëpo, kjo nuk e pengon që të zbavitet si një i çmendur me surfin e tij. Historia e Derek Rabelo është mjaft prekëse, por shumë domethënëse, pasi tregon se kurrë nuk duhet dorëzuar, përkundër vështirësive që shfaqen në jetë.

I lindur në Guarapari, Espirito Santo, u verbua kur ishte vetëm një vjeç nga glaucoma. Vetëm ndjenja e etur për jetën dhe dashuria për surfin janë ato që ia mundësuan që t’i kalojë vështirësitë që ia shkaktoi verbëria.

“Mundohem ta imagjinoj se çka ndodh përreth meje, ngjyrat, skenën etj”, thotë Rebelo. Babai i tij ishte surfist, njëjtë si xhaxhallarët e tij dhe e ka mësuar shpejt këtë sport individual, në një shkollë afër shtëpisë së tij.

“Përpos surfit, Rabelo e ka praktikuar futbollin, notin, çiklizmin dhe ka gjetur kurajën të lëshohet edhe në terrenin e skatebordit”, kujton njëri nga shokët e tij.

Derek e ka mbështetjen e familjes së tij, posaçërisht nga mamaja. “Në ditën kur djali i saj i ka thënë se dëshiron ta pushtojë detin, gati ka pësuar sulm në zemër”, tregojnë të afërmit e brazilianit.

Fama e tij është aq e madhe, sa që 250 mijë persona e kanë shikuar video xhirimin, ku shihet së bashku me Kelly Slater, 11 herë kampion i botës në surf. Ai e ka provuar edhe Hawain, vendin më të preferuar, por edhe më të rëndësishëm të këtij sporti.

Rabelo është vetëm 19 vjeç, por tashmë e ka fituar respektin dhe simpatinë nga surfistët më të mirë të botës. Ai i ka shfaqur aftësitë e tij sportive, por mbi të gjitha humane. Ai po bëhet gjithnjë e më shumë një fenomen mediatik dhe të gjithë flasin mirë për të.

Surfi, edhe pse sport i vështirë ku mund të arrihen rezultate, ia dha forcën për të jetuar. Ai pa problem e ‘çan’ oqeanin me surfin e tij. Rabelo është shembull për të tjerët./SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 701 here

Fjalët kyçe