Tatli, kampion i Evropës

Data e publiklimit: Monday, December 10th, 2012

Edis Tatli është konfirmuar kampion i Evropës në kategorinë e peshave të lehta (61kg). Boksieri kosovar u stolis me titullin e më të mirit, pasi e mposhti të shtunën mbrëma italianin Paolo Gassan. Synim i radhës i 25 vjeçarit është titulli i kampionit të botës, e cila mundësi mund t’i ofrohet vitin tjetër.

Edis Tatli është shpallur kampion evropian i peshave të lehta (61 kilogramë). Boksieri shqiptar e ka mundur të shtunën mbrëma italianin Paolo Gassan, në meçin 12 rundesh. “Synim im nuk ishte që ta kërkoja rrëzimin direkt, por kur më erdhi mundësia, nuk kishte tjetër rrugë veçse ta shfrytëzoja”, ka thënë Tatli pas meçit.

25 vjeçari e mbylli meçin para kohe pas një goditjeje të rëndë të dhënë me të majtën, duke mos i dhënë rast kundërshtarit që të ngrihet. Gjyqtari me këtë rast u detyrua ta ndërpriste meçin. “Që nga fillimi, dukej një meç i fortë. Përgatitja për këtë ndeshje ishte perfekte. Këtë e ndjeva që nga goditja e parë dhe punët shkuan mbarë”, vazhdoi boksieri prizrenas.

Tatli i ka fituar 19 meçe profesioniste. Synim i tij i radhës është që të bëhet kampion i botës. “Flitet për një meç preliminar për kampion të botës në fund të vitit tjetër, por së pari më përket ta mbroj titullin evropian. Më pas do ta kërkoj titullin interkontinental”, vijoi Tatli.

Tatli, i lindur në Prizren më 13 gusht 1987, është boksier me pasaportë finlandeze. Ai i ka fituar të gjitha meçet në karrierën profesioniste, 19 sosh, 4 prej tyre me nokaut. ‘Tatli Tyson’, siç e quajnë në Finlandë, mund ta sfidojë boksierin Ricky Burns për titull të botës. Ai ushtron me trajnerin Pekka Maki, ndërsa kishte shkuar për të jetuar në vendin skandinav kur ishte i ri. Tatli shihet si njëri prej boksierëve më perspektivë shqiptarë./SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 524 here

Fjalët kyçe