Vazhdojnë të koriten

Data e publiklimit: Monday, September 17th, 2012

Klubet kosovare të hendbollit vazhdojnë me avazin e vjetër. Zhgënjimi i tyre në garat evropiane po vazhdon edhe këtë edicion. Rasti i fundit është me kampionin e Kosovës, Besa Famiglia, i cili qysh në rrethin e parë u eliminua nga Kupa e EHF-së nga Boraci, dhe atë me 19 gola diferencë. Kryetari i pejanëve, Hamza Idrizi e pranon se klubet kosovare nuk kanë ‘kaçik’ t’u bëjnë ballë siç duhet ekipeve evropiane, për shkak të krizës financiare. Andaj, ai kërkoi urgjentisht ndihmë nga Qeveria e vendit.

Skuadrat kosovare të hendbollit vazhdojnë me avazin e vjetër. Zhgënjimi i tyre në garat evropiane tashmë është bërë i zakonshëm. Rasti i fundit është ai i kampionit të Kosovës, Besa Famiglia, i cili shumë herët i tha lamtumirë arenës ndërkombëtare.

Pejanët u eliminuan qysh në rrethin e parë të Kupës së EHF-së. Madje, ata të shtunën u eliminuan në mënyrë të turpshme, ngase në shtëpi të tyre u mposhtën me dhjetë gola diferencë nga Boraci i Bosnjës e Hercegovinës.

Takimi i dytë mes këtyre dy ekipeve përfundoi me rezultat 22:32, derisa edhe në ndeshjen e parë të zhvilluar në Republika Srpska, skuadra më e mirë kosovare kishte pësuar disfatë të thellë, 31:22. Pra, në dy ndeshje ndaj Boracit, pejanët nuk ishin të zotë të shënonin më shumë se 44 gola, krahas 63 sish sa i pësuan.

Në fakt, eksperienca e skuadrave kosovare në garat evropiane edhe viteve të kaluara ishte zhgënjyese, dhe e njëjta gjë ka filluar të përsëritet edhe sivjet. Udhëheqësit e klubeve të Kosovës e pranojnë se nuk kanë ‘kaçik’ për t’u bërë ballë siç duhet skuadrave të tjera evropiane. Sipas tyre, kriza financiare në të cilën gjendet Kosova në çdo segment, e ka ngulfatur edhe hendbollin.

“Boraci merr 250 mijë euro në vit nga Qeveria e Republika Srpskës. Me 170 mijë euro ndihmohet nga Komuna e Banjallukës. Madje, iu kanë dhënë edhe gjashtë lokale në shfrytëzim, prej të cilave i merr nga 2 mijë euro në muaj. E, mos të flasim për sponsorët e tjerë që e ndihmojnë. Madje, ata nuk ishin të kënaqur me këto ndihma. Kurse, unë i vetmuar e mbaj Besën, me një ndihmë të vogël nga Komuna, e cila sivjet po na ndihmon shumë më pak sesa vitin e shkuar, ashtu siç është përgjysmuar ndihma e sponsorit IPKO”, thotë kryetari i Besa Famiglias, Hamza Idrizi.

Sipas tij, përderisa Qeveria e Kosovës nuk e merr përsipër që ta ndihmojë klubin që do ta përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare, rezultatet zhgënjyese nuk do të kenë të ndalur.

“Unë jam kundër asaj që katër klube të Kosovës të garojnë në Evropë, sepse s’kemi mundësi. Le të luajë një klub i meshkujve dhe një i femrave. Le të shkojnë pra ato dy klube që kanë buxhet më të madh. Pastaj, le ta ndihmojë Ministria e Sportit dhe Komuna përkatëse, por edhe Federata le të interesohet që t’ia gjejë ndonjë sponsor. Kështu duhet të mobilizohemi. Madje, ai klub le të ndihmohet edhe nga klubet e tjera, duke huazuar lojtarë të fortë”, shtoi ai.

“Klubi i Zagrebit e bën të njëjtën gjë dhe ndihmohet shumë nga Qeveria, po ashtu Boraci etj. Unë kam angazhuar dy lojtarë të huaj, por nuk janë të klasit evropian, sepse ata kushtojnë. Ndërsa, vendorët i paguajmë nga 200 euro, pastaj ata detyrohen të punojnë si kamerierë nëpër kafene, sepse sikur të mund t’i paguaja nga 500 euro, ata nuk do të punonin edhe si kamerierë, por nuk kanë zgjidhje tjetër”, theksoi ai.

Siç dihet, skuadrat kosovare vazhdimisht po zhgënjejnë nëpër garat e EHF-së. Sikurse Besa, hiq më mirë nuk pritet të shpëtojnë as sivjet edhe tri klubet e tjera kosovare, që do të startojnë në garat evropiane.

Besa Famiglia deri më tash e ka vetëm një fitore në rrafshin ndërkombëtar, atë të 1 shtatorit të vitit 2006, kur e pati mposhtur ekipin izraelit, Maccabi Rishon Le Zion, me rezultat 28:27 në kuadër të Kupës së EHF-së./SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 1193 here

Fjalët kyçe