Vettel: Emocion i papërshkrueshëm

Data e publiklimit: Tuesday, December 11th, 2012

Piloti gjerman, Sebastian Fetel, 15 ditë pasi fitoi titullin e tij të tretë radhazi në Formula 1, ka marrë në Stamboll çmimin tradicional, i cili i jepet kampionit nga Federata Botërore e Automobilizmit. Gjermani i Red Bullit, i datëlindjes 1987, është bërë falë titullit të fundit tri herë kampioni i botës më i ri në historinë e këtij sporti. Pas marrjes së çmimit, Fetel ka deklaruar: “Në tetor e dorëzova trofeun, tani për fat të mirë po e marr sërish. Është një emocion i papërshkrueshëm dhe jam shumë i lumtur për titullin tim të tretë. Kjo që arrita në 2012-ën më bën jashtëzakonisht krenar”. Gjermani është futur në radhën e pilotëve, të cilët kanë bërë historinë e këtij sporti si Huan Manuel Fanxho dhe Mikael Shumaker, që janë dhe të vetmit pilotë që kanë arritur të shpallen tri herë radhazi kampion bote. Fetel është i mendimit se si 2011-ta dhe 2012-ta kanë qenë të vështirë dhe se atij vetë, por edhe Red Bullit, iu desh të sakrifikonte mjaft. “Ky vit ishte pa dyshim më afër me ekipet e tjera. Pra, në vend të përfundoje i dyti, i treti ose i katërti, ndonjëherë e mbyllje i pesti apo edhe i teti. Në përgjithësi ne kishim një makinë shumë konkurruese. Kemi fituar Botërorin e Konstruktorëve, pra Marku (Veber) dhe unë morëm më shumë pikë nga çdo makinë tjetër”. Teksa Fetel premiohej për trofeun e pilotëve, nderin për të tërhequr trofeun e konstruktorëve e pati Kristian Horner, i cili në emër të skuderisë së Red Bullit i falënderoi të gjithë për punën e vështirë dhe përkushtimin që treguan në këtë sezon jo pak delikat. “Kjo është një arritje fenomenale për skuadrën tonë, – tha Horner. – Puna e vështirë dhe përkushtimi i të gjithëve këtë vit ka qenë shembullor. Skuderia jonë ka shfrytëzuar çdo gjë nga kapacitetet dhe zgjuarsia e saj. Të gjithë pa përjashtim guxuan dhe refuzuan t’i dorëzoheshin presionit të madh. Unë jam i nderuar që kam fatin të ngre këtë trofe në emër të tyre”, – u shpreh Horner. /SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 625 here

Fjalët kyçe