(VIDEO) Bruklin fiton pas një zënke në Boston

Data e publiklimit: Thursday, November 29th, 2012

Ndeshja mes Boston dhe Bruklin ka dhuruar një situatë aspak të këndshme në NBA, ku zakonisht ekziston fryma e fair-play dhe nuk shihen shpesh skena dhune mes lojtarëve. Gjithçka ka ndodhur në fillimin e pjesës së dytë të takimit të fituar nga Bruklin me rezultatin 95-83.

Hamfris ka bërë një faull josportiv ndaj Kevin Garnet dhe në atë moment, Rondo i nervozuar ka sulmuar kundërshtarin duke e shtyrë me forcë drejt tribunës. Uollas është përfshirë për të mbrojtur shokun e skuadrës dhe këtu ka filluar një zënkë e pakëndshme që ka sjellë përjashtimin e të tre lojtarëve. Pritet që ndëshkimin më të gjatë ta ketë pikërisht Razhan Rondo, i cili është përjashtuar direkt, ndërsa për dy lojtarët e Nets janë dhënë gabime teknike para se të largoheshin nga fusha e lojës.

Kjo fitore ka mbajtur Bruklin në vendin e parë në renditjen e Konferencës së Lindjes, ku ata ndiqen nga “kushërinjtë” e Nju Jork Kniks, të cilët kanë vijuar serinë e fitoreve me triumfin ndaj Miluoki.

Në Konferencën e Perëndimit kanë ardhur fitoret e thuajse të gjitha skuadrave pretendente, si Memfis, San Antonio, Oklahoma e LA Klipërs, me këta të fundit që kanë ndërprerë serinë e 4 humbjeve radhazi.

Rezultatet

Portland-Uashington 82-84

San Antonio-Orlando 110-89

Sharlot-Atlanta 91-94

Bruklin-Boston 95-83

Feniks-Detroit 77-117

Dallas-Çikago 78-101

Utah-Nju Orlins 96-84

Nju Jork-Miluoki 102-88

Toronto-Memfis 82-103

Hjuston-Oklahoma 98-120. /SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 366 here

Fjalët kyçe