Xhaka premton më shumë

Data e publiklimit: Thursday, December 27th, 2012

Granit Xhaka nuk e dha atë që ishte pritur nga ai, pas transferimit në Borussia Monchengladbach nga Baseli gjatë verës së këtij viti. Futbollisti kosovar, pasi kaloi dy sezone të suksesshëm në Zvicër, është i bindur se të njëjtën gjë mund ta bëjë edhe në Gjermani, duke filluar nga viti 2013.

“Unë shoh gjithmonë pozitivisht. Kam kaluar dy vjet të mirë në Basel. Mirëpo, në Gladbach nuk kam mundur ta tregoj 100 përqindëshin tim, pasi si skuadër nuk luajtëm dhe aq mirë. Trajneri i ka larguar disa lojtarë nga përbërja e parë, duke më përfshirë edhe mua. Por, unë do të punoj për ta vënë atë në vështirësi. Do të punoj shumë në të ardhmen për të luajtur në vitin 2013 rregullisht”, theksoi 20 vjeçari për ueb faqen derwesten.de.

Ai shton se me të arritur në Gjermani ishte vënë nën presion të madh, pasi dëshironte që nga fillimi t’ua demonstronte të tjerëve se Gladbachu nuk ka gabuar që e ka transferuar. “Edhe shikuesit kanë pritur shumë nga unë. Nuk jam një lojtar që shënon 5 gola për ndeshje. Mirëpo, personat që më kanë sjellë në Gladbach e dinë se çfarë potenciali posedoj dhe këtë do ta demonstroj shpejt”, vazhdoi futbollisti prishtinas, i cili po kalon pushimet në Kosovë.

Ai e di se çka mund të bëjë për Glabachun, por e pranon se mund të mësojë shumë, pasi që për këtë është transferuar në një ekip më të madh se Baseli. Xhaka shpreson që viti 2013 të jetë më i mirë edhe për Monchengladbachun, i cili aktualisht gjendet në pozitën e tetë në tabelë./SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 443 here