Zeman, tjetër sulm ndaj De Rosit

Data e publiklimit: Thursday, December 6th, 2012

Daniele De Rosi ka lënë pas pezullimit të marrë në derbi dhe është gati të kthehet në fushën e lojës, por trajneri i Romës, Zdenek Zeman, nuk duket se do të aktivizojë lojtarin si titullar, pasi është i pakënaqur me formën e tij aktuale.

“De Rosi për mua nuk është një problem, por ai nuk është paraqitur siç pritet nga një lojtar i tillë”, ka shpjeguar trajneri çek i kryeqytetasve. “Ai nuk është integruar me skuadrën. Për ne mbetet një lojtar i rëndësishëm dhe shpresoj që të shfaqet përsëri si në sezonet e kaluara. Ndoshta, në fillim të sezoni, u ndikua nga zërat e merkatos. Dikush thotë se janë 11-12 skuadra që e kërkojnë, por unë kam dyshimet e mia pasi nuk më rezulton kështu”, komentoi trajneri duke lëshuar një tjetër thumbim në adresë të mesfushorit.

Ndeshja ndaj Fiorentinës pritet të jetë testi i vërtetë për të parë se si janë raportet e lojtarit me klubin dhe nëse mesfushori është pjesë e planeve të Romës.

“Ai po stërvitet, por nuk i dihet kurrë si ndryshon situata gjatë javës, a je në formë apo jo. Unë shpresoj që ai të jetë më mirë se në të kaluarën. Sinqerisht, me të nuk kam patur kurrë probleme. Më ka ardhur keq vetëm për fjalët që tha pas humbjes kundër Juventusit, por ajo është e kaluara. De Rosi për mua është një lojtar i rëndësishëm. A do të përmirësohet? Kjo varet nga dëshira e tij”, përfundoi trajneri i Romës./SportIndeks.Com

Ky publikim eshte lexuar 248 here

Fjalët kyçe